Sot ka dalë në qarkullim libri « Gabimet fatale » të Vincent Noutille.
Ai pason librin e shkruar nga dy gazetarë francezë Gérard Davet dhe Fabrice Lhomme, « Një president nuk duhet ta thoshte këtë », të botuar në tetor 2016[i].
Në të dy librat del në pah se presidenti në detyrë, François Hollande, ka dhënë urdhër për vrasjen e më shumë se 40 personave, jashtë territorit francez .
Ja si e citon Le Monde këtë të fundit : « sa herë që të ketë sulme ndaj ushtarëve tanë, sa herë që të ketë marrje pengjesh, të rrembyer dhe të burgosur , çdo herë përgjigja do të jetë e adaptuar ». Këto operacione të quajtura « Homo », janë vrasje me paramendim të autorëve të atentateve, të organizuara nga Drejtoria e përgjithëshme e sigurisë së jashtme ( DGSE) ».[ii]
Le Monde boton pjesë të librit : « i rrethuar nga këshilltarë të prirur nga aksioni ( …) François Hollande i ka dhënë urdhër të qartë shtabit të tij të përgjithshëm ushtarak të DGSE mbi këtë çështje : ata kanë dritën e gjelbër për të vrarë, edhe jashtë vendit( Ndt : Francës) bile edhe fshehurazi, « shefat e terroristëve » dhe armiq të tjerë të prezymuar të Francës »
Shumë vende janë të përfshirë : Siria, Iraku, Saheli.
Gazeta vazhdon të citojë »…së paku 40 veta janë ekzekutuar jashtë vendit midis 2013 dhe 2016 . Është e qartë se bëhet fjalë për ekzekutime pa gjygj.
E njëjta gazetë kohë më parë do të shkruante në 1999 se Kosova ishte viktimë prej më shumë se 10 vjetësh e politikës së apartheid-it të udhëhequr nga Beogradi.
Më 10 prill 1999, Joshka Ficher, ministri gjerman i punëve të jashtme të kohës do të shprehej kështu për Le Monde : » kur ta njohim të gjithë të vërtetën besoj se do të jetë shumë e vështirë për ta përballuar » ai e krahason luftën e Jugosllavisë me luftën e viteve 30-40.
Më 3 prill, për të njëjtën gazetë, Rudolf Scharping, homologu i tij i mbrojtjes do ta quante atë çka po ndodhte » Gjenocid » ( Le Monde, 3 prill 1999),
Ndërsa Bill Clinton do të thoshte për The New Statesmen,( 15 novembre 1999) se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte « përpjekje e qëllimtë dhe sistematike e gjenocidit »
Ndërsa Tony Blair duke iu referuar të njëjtës, thotë : » ju premtoj se Millosheviçi dhe gjenocidi i tij i urryer, do të marrin fund këtu ». (The Guardian, 28 tetor 1999).
Ato që ndodhnin në Kosovë, u krahasuan prej klasës politke perëndimore me tmerret e shkaktuara nga nazistët në Evropë, kundër të cilëve rezistenca franceze dhe gjenerali De Gol iu kundërvunë me aksione konkrete dhe rezistencë të armatosur.
Mbi një millionë persona, shumica burra e gra, u dëbuan dhe u zhvendosën nga shtëptitë e tyre, mbi 20mijë gra e vajza u dhunuan nga ushtarët dhe paramilitarët serbë. Dhunimi u përdor si mjet lufte.
Më 14 dhjetor 2015, gazeta Zëri do të raportonte: “Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 549 persona, prej tyre 76 përqind civilë, kurse 24 përqind pjesëtarë të formacioneve të armatosura. Prej viktimave civile 1 mijë e 400 ishin nën moshën 18 vjeçare. Sa i përket përkatësisë etnike (…) shumica prej tyre janë shqiptarë me numrin prej 8 mijë e 693, kurse 1 mijë e 196 janë serbë dhe 445 romë dhe të tjerë”.[iii]
Ndërkohë policia franceze arreston Ramush Haradinajn, ish komandant i UCK-së, që luftoi kundër dhunës dhe terrorit shtetëro serb të Millosheviqit.
Sjell në kujtesë se Haradinaj iu nështrua precedurave penale të tribunalit të Hagës dhe ky i fundit e shpalli të pafajshëm. Pra ai arrestohet për një « faj » tashmë të gjykuar dhe të shfajësuar. A mos po hasim në një drejtësi me dy kute ?
Ceceroni do kish vënë duart në kokë e do kish thirrur: o tempora o mores….
*Ish-ambasador i Kosovës në Zvicër
http://www.msn.com/fr-fr/actualite/france/hollande-aurait-autoris%C3%A9-une-quarantaine-dassassinats-cibl%C3%A9s-de-terroristes/ar-BBxSzgp?li=BBwlBpb&ocid=spartandhp
http://www.msn.com/fr-fr/actualite/france/hollande-aurait-autoris%C3%A9-une-quarantaine-dassassinats-cibl%C3%A9s-de-terroristes/ar-BBxSzgp?li=BBwlBpb&ocid=spartandhp
http://zeri.info/aktuale/67223/ne-luften-e-kosoves-u-vrane-8-mije-e-693-shqiptare