Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek si dhe zyra e Bashkimit evropian kanë përgënjeshtruar pohimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë thënë se jo domosdoshmërish kërkohet të plotësohet në tërësi, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si njëri ndër dy kriteret për liberalizim të vizave.
Këto dy struktura të BE-së kanë shpjeguar se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë liberalizim të vizave për deri sa Kuvendi nuk e ratifikon demarkacionin dhe Qeveria të filloj të luftoj krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
Zyra e Bashkimi Evropian ka thënë për Indeksonline se në mënyre që ta vlerësojë sa më korrekt kriterin i cili ka të bëjë me nivelin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, do të vëzhgoj për afërmi çdo rast të dyshuar në lidhje me këtë vepër, që nga faza e hetimeve, vendimet përfundimtare të gjykatave e deri tek konfiskimi i pasurisë me prejardhje të dyshimtë.
“Komisioni Evropian vazhdon të monitorojë në mënyrë aktive hapat e institucioneve të Kosovës drejt ratifikimit të marrëveshjes së saj të kufirit me Malin e Zi dhe zhvillimit të mëtejshëm të të dhënave të saj për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe krijimin e regjistrit ose bazës së të dhënave të hetimeve, vendimeve përfundimtare të gjykatave dhe konfiskimit në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në përgjigjen zyrës se BE-së.
Komisioni Evropian kishte lëshuar një propozim për liberalizimin e vizave me 4 maj 2016 duke vënë përpara një vendimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshillit të BE-së.
“Në raportin e tij, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të tij për liberalizimin e vizave, në kuptimin që nga dita e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshillit të BE, Kosova duhet ta ratifikoj marrëveshjen kufitare me Mali i Zi dhe duke treguar rezultate rekorde në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Ndërkaq Ulrike Lunaçek ka thënë se sa i përket datës ose kohës së kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, është shumë e vështirë të jepet përgjigje në këtë pyetje.
“Unë vetëm mund të konfirmoj se asnjëherë nuk kamë dhënë dhe as nuk do të japë ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, sepse në këtë fazë është e vështirë për të dhënë një përgjigje serioze”, ka thënë Lunaçek./tch