Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, thotë se ka informacione të reja rreth sulmeve të dyshuara kibernetike ruse gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA, të cilat planifikon t’i tregojë gjatë javës së ardhshme.
Duke folur shkurtimisht para gazetarëve ndërsa shkonte në festën e Vitit të Ri në Florida, Trump i është përgjigjur një pyetje rreth këtyre sulmeve, për të cilën ka thënë:
“Unë di gjëra që të tjerët nuk i dijnë” dhe “ju do i zbuloni ato të martën apo të mërkurën (më 3 apo 4 janar)”.
Ai gjithashtu ka thënë se beson që ndërhyrja në emailat e zyrtarëve të Partisë Demokratike mund të jetë kryer nga “dikush tjetër” e jo Rusia.
Ai ka thënë se ai di shumë rreth hakimit të kompjuterëve dhe se kjo “është një gjë shumë e vështirë verifikohet”.
Javën e kaluar, qeveria amerikane ka dëbuar 35 diplomatë rusë dhe ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të sigurisë dhe agjencive të inteligjencës ruse, si masë ndëshkuese ndaj sulmeve kibernetike.
Agjencitë e inteligjencës amerikane thonë se ata besojnë që Moska ka urdhëruar sulmet, me qëllim që Trump të fitojë zgjedhjet.