Enti Rregullator i Energjisë vendosi dje të mos ndryshojë çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë të paktën deri në mars të vitit të ardhshëm. Enti Rregullator i Energjisë ka marrë në shqyrtim dje aplikimet për çmime të reja energjie nga ana e OSHEE dhe OST, por në vendimin e dhënë përcaktohet se deri në mars 2017 konsumatorët finalë do të vazhdojnë me të njëjtat çmime aktuale.
“Deri në 31.03.2017, të lërë në fuqi tarifat dhe çmimet e përkohshme të energjisë elektrike të miratuara përkatësisht me vendimet si më poshtë”, thuhet në vendimin e ERE, i cili nënvizon edhe çmimet ekzistuese për çdo kategori.
I njëjti vendim përcakton tarifa të reja për klientët e lidhur në 35 kilovolt, të cilët duhet të funksionojnë sit ë pavarur në treg. Furnizues i këtyre përkohësisht është kompania e shpërndarjes pasi asnjëri nuk ka mundur të sigurojë furnizues të ri. Enti Rregullator ka përcaktuar tarifat e reja që këta klientë do të paguajnë ndaj furnizuesit universal.
“Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 Lekë/kwh ndërsa çmimi në pik është 10.93 Lekë/kwh. Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20 kV çmimi i shitjes së energjisë është 11 Lekë/kwh, ndërsa çmimi në pik është 12.65 Lekë/kwh. Tarifa e aksesit të shpërndarjes për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20kV të jetë 3,9 Lekë/kwh”, përcakton vendimi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike.
ERE i kërkon OSHEE që të jetë korrekte me pagesat e faturave që ka ndaj OST dhe KESH dhe këtu i referohet jo vetëm detyrimeve korrente, por dhe të prapambetura me argumentin e shlyerjes së kredive që kanë dy operatorët.
BW/d.i.