Në vitin kur votuesit populist riformuan fuqinë dhe politikën nëpër Evropë dhe SHBA, njerëzit më të pasur të botës po e përmbyllin vitin 2016 me 237 miliardë dollarë më shumë se që kishin në fillim.
Përfitimet më të mëdha i pati Warren Buffett, i cili pasurisë së tij i shtoi 11.8 miliardë dollarë gjatë vitit pasi që firma e tij investuese “Berkshire Hathaway Inc.” u ngrit pas fitores së Donald Trumpit më 8 nëntor.
Buffett, i cili është zotuar se do të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë së tij për bamirësi, në korrik të këtij viti dhuroi aksionet e tij në “Berkshire Hathaway” në vlerë prej 2.6 miliardë dollarësh, raporton Bloomberg.
Mediumi amerikan, në artikullin e tij të përpiluar për indeksin e miliarderëve të botës, ka shkruar edhe për “startup” bizneset për të cilat thotë të kenë përfituar më së shumti gjatë këtij viti, duke përfshire Travis Kalanick e kompanisë “Uber” dhe Evan Spiegel të rrjetit social “Snap”.
Të ashtuquajturit miliarderët “njëbrirësh”, ku përfshihen bashkëthemeluesi i “Spotify” Martin Lorentzon, i cili u identifikua si miliarder për herë të parë më 2016, ka siguruar një shumë të madhe të financimeve.
“Miliarderë tjerë të zbuluar nga indeksi i Bloomberg më 2016 përfshijnë babanë dhe djalin prapa tekilës “Jose Cuervo”, një sipërmarrës të pronave te patundshme ne NewYork, Axel Stawski dhe bosin e ndërtimeve nga Kosova, Behgjet Pacolli”, shkruan Bloomberg.
Në këtë indeks janë përfshirë edhe 11 anëtarët e gjallë të familjes së sipërmarrësit tajlandez Chaleo Yoovidhya, shpikësit të Red Bull-it, trashëgimtarët e të cilit ndajnë një pasuri të përbashkët prej 22 miliardë dollarësh, pasuria më e madhe botërore e një pije energjike.
Në Argjentinë janë shfaqur tre miliarderë, përfshi miliarderin e parë të vendit në teknologji Marcos Galperin, përgatiti Koha. (b.an)