Pronat e sekuestruara nga aktivitetet e paligjshme janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave. Gjithsej, sipas Monitor.al, janë 7 prona me vlerë 270 milionë lekë ose 2 milionë euro. Pronat ndodhen në qytetet e Durrësit, Tiranës, Sarandës dhe Lushnjës.
Vlera më e madhe në lekë i takon një ullishte në Durrës, e cila del në ankand me vlerë 111 milionë lekë. Gjithashtu me vlerë respektivisht 44.8 dhe74.5 milionë lekë u takojnë dy parcelave tokë po në Durrës. Ndërsa një makinë “Mitsubishi-Pajero” e sekuestruar në Tiranë ka dal në shitje për 115 mijë lekë.
Ankandi për blerjen e tyre do të zhvillohet me 11 janar të vitit 2017. Sipas kritereve të garës në ankand mund të marre pjesë çdo person fizik apo juridik i interesuar.
Për blerje me ankand duhet të paraqitet një kërkesë me shkrim për blerjen e objektit apo ndërmarrjes e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave, mandat pagesën apo garancinë bankare në origjinal që vërteton derdhjen apo ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të Ministrisë së Financave si dhe dokumentet e identifikimit./a.m.