Sigurisht që edhe shtypi çek i ka kushtuar vëmendje dhe hapësirë ngjarjes së shëmtuar ku humbën jetën dy shtetasit e tyre. “Blesk” shkruan se dy turistë çekë u vranë në Shqipëri disa qindra metra larg kampit të tyre.
“Michal dhe shoqja e tij Anna kaluan në Shqipëri pushimet. Por vetëm disa qindra metra nga kampi ku rrinin, policia lokale gjeti trupat e tyre dhe makinat” – shkruan Blesk.
Sipas “Blesk” vrasja ka ndodhur në një zonë pranë qytetit të Shkodrës, ku ka shumë kampe dhe është një destinacion popullor për turistët. Gazeta në fjalë i referohet edhe zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Michael Lagronová. Shtypi çek thekson se vrasësit e hodhën makinën nga një shkëmb.
Po duke iu referuar zëdhënësit të MPJ çeke, “Blesk” thekson se identifikimi i trupave ka qenë i vështirë pasi të dy turistët nuk kanë pasur karta identiteti, por vetëm patentat e automjetit. Gazeta në fjalë konfirmon se në vendin e ngjarjes ndodhet edhe konsulli çek, i cili konsultohet herë pas here me hetuesit. Ndërkohë, pritet që autoritetet të kontaktojnë me familjet e viktimave.
***
Edhe gazeta e madhe franceze “Le Parisien” boton një lajm për vrasjen e dy turistëve çekë në malet e Veriut të Shqipërisë.
“Dy turistët u vranë me armë automatike”, thotë gazeta, “ndërsa ndodheshin në një park natyror. Policia ka ndaluar rreth dhjetë të dyshuar për ngjarjen e rëndë”.
Më tej Le Parisien shton se trupat e Michal Svatos dhe Anna Kosinova u gjetën në Prekal, rreth 150 km në Veri të Tiranës, në bordin e një automjeti me targa çeke. Sipas saj, turistët po përpiqeshin të mbërrinin një grup tjetër turistësh çekë që ndodheshin aty.