Nga Skënder Minxhozi/
Diku në lajme, gjatë ditës së sotme, u shfaq një koment që thoshte pak a shumë se “Shqipëria është tokë e mallkuar për çekët”. E vërtetë, duket si një histori e errët vrasjesh e zhdukjesh, e cila prek ndër vite vetëm turistët çekë, të cilët ndodhen thuajse gjithmonë në mes të Alpeve të Veriut. Një skenar i denjë për filmat horror të Hollivudit, që mbushin me shumicë kinematë në çdo kohë të vitit.
Çifti i të dashuruarve Michal Svatos dhe Anna Kosinova kanë humbur jetën në një akt makabër vrasjeje, prej personash që mbeten anonimë vetëm nga gjeneralitetet, por jo nga egërsia e gjestit. Kriminelët e kanë lënë “firmën”e tyre në plumbat e kallashnikovit mbi trupin e makinës, në mënyrën e pashpirt të vrasjes me plumb pas koke dhe në të gjitha detajet e tjera të këtij krimi që trondit një zonë që është ndër më të bukurat në Shqipëri.
Që prej vitit të largët 2001, duket se ka një mallkim që i ndjek turistët çekë në ato bjeshkë të Veriut. Katër studentë u zhdukën në atë vit, për t’u pasuar më vonë nga të tjerë turistë që vinin nga ky shtet, e humbnin jetën në rrethana të errëta.
Vrasja e çiftit çek ka tronditur rëndë opinioni publik shqiptar. Është një nga ato histori që krijojnë një kumbim të fortë, në mes të një qetësie verore, e që sensibilizojnë të gjithë ata (dhe janë të shumtë) që ndjekin aktualitetin përmes mediave.
Akte të tilla barbare rikthejnë natyrshëm, instiktivisht, temën e dënimit me vdekje, që shoqëria shqiptare nuk e ka hequr thuajse kurrë nga diskutimi popullor e informal, në dy dekadat e fundit. Refleksi më i zakonshëm i njerëzve që pyeten në rrugë ose kudo tjetër, lidhur me ngjarje të tilla tragjike, është ai i rikthimit të dënimit me vdekje. Shqipëria e ka pranuar heqjen e dënimit me vdekje, njëzet vjet më parë, për procedurë, në rrugën e afrimit drejt një Europe që nuk e lejon këtë lloj ndëshkimi, për shkak të konstitucionit të saj historik, kulturor e fetar. Por tek ne, që me dënimin me vdekje kemi jetuar mbi 40 vjet në kohën e diktaturës, duke u përballur më pas me kaosin e tranzicionit, tundimi i rikthimit të dënimit kapital bëhet shpesh i fortë.
Siç është edhe rasti i mbrëmshëm, kur dy turistë të huaj u vranë pa asnjë shkak, nga kriminelë rruge, në një cep të Shqipërisë së Veriut.
I gjithë ky debat për dënimin me vdekje, projekton një imazh në ndërgjegjen popullore: atë të dy vëllezërve të varur Çuko, nga fshati Libofshë, dy të dënuarit e fundit me vdekje në Shqipëri, në 25 qershorin e largët të vitit 1992. Sa herë të dëgjojmë makabritete si ai i mbrëmshmi, kjo foto që po botojmë, do të rikthehet në mënyrë të pashmangshme, si një mallkim i një kohe të shkuar, që përsërit vetveten.