Ka përfunduar pa rezultat konkret seanca maratonike e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga AAK-ja për të diskutuar për murin në veri të Mitrovicës.Në orën 1 pas mesnatës, nuk ka pasur kuorum për ta votuar rezolutën e shkruar nga AAK-ja, e ku dy pikat e para bëjnë thirrje që të shkarkohet ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe të ndërpriten bisedimet në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.
Ka qenë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ai që ka lutur Lekajn dhe AAK-në që këto pika të hiqen, e të krijohet një rezolutë unifikuese e jopolitike rreth murit në Mitrovicë.
Lekaj, ka kërkuar megjithatë që Tahiri të vetëdorëhiqet, por është pajtuar që me shefat e grupeve parlamentare të harmonizohet një rezolutë.
Edita Tahiri nuk ka mbetur pa replikuar me Lekajn, duke i thënë se “nuk ka qenë AAK-ja ajo që e ka emëruar ministre për Dialog, por koalicioni i partisë së saj me PDK-në”.
“Prandaj do të konsultohem me përternim tim në koalicion, pastaj shohim e bëjmë”, ka thënë Tahiri.
Seanca ka përfunduar me marrëveshjen që para të mërkurës, Lekaj të thërras një takim me shefat e grupeve parlamentare për harmonizim të rezolutës e cila do të vihet për votim në një seancë të mërkurën.
Atë ditë pritet të mbahet seancë edhe për dy ligje për miratimin e të cilave nuk pati kuorum në seancë. Përndryshe, kjo e sotmja ishte paraparë që të jetë seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë vit, citohet Koha. (b.an)