25 vjeçarja Dorina Haka ndërroi jetë nëntorin e vitit 2014-të, pak ditë pasi solli në jetë një fëmijë, fryt i martesës me portierin e Partizanit, Alban Hoxhën, ndërsa për vdekjen e saj u vunë nën akuzë mjekët që e asistuan në lindje. Kur kanë kaluar dy vjet nga ngjarja, babai i saj Enver Haka kërkon që mjekët të shpallen fajtorë.
Ndërsa Gjykata e Tiranës pritet të shpallë sot vendimin përfundumtar për dy mjekët, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, babai i Dorinës në një rrëfim për “Panorama” kërkon që gjykata t’i shpallë të fajshëm.
“Dënimi i tyre duhet të jetë shembullor. Ai dënim nuk mund të zbusë dhimbjen time, por besoj dhe shpresoj se do të shërbejë që prindër të tjerë të mos vuajnë si unë dhe familjarët e mi”,- thotë ai
Mes dhimbjes së pandashme që prej nëntorit të vitit 2014, babai i Dorina Hakës thotë që ka besim te drejtësia dhe te një vendim i drejtë. “Kam qenë prezent në të gjitha seancat gjyqësore të procesit, plot 28 të tilla. Kam ndjekur me vëmendje çdo vendimmarrje të ndërmjetme të gjykatës. Mund të them që më janë dukur të drejta. Kam besim që edhe vendimmarrja përfundimtare e gjyqtarit Altin Abdiu do të jetë e drejtë. Uroj që edhe sot të befasohem nga vendimi i tij”, u shpreh Haka gjatë një prononcimi për gazetën.
Ai është i bindur në fajësinë e dy mjekëve, ndërsa shton: “Vajza ime nuk ka qenë asnjëherë e sëmurë për 25 vjet. Ka qenë sportiste. Është e padiskutueshme që ata janë fajtorë për vdekjen e saj. Ka qenë ndihma e munguar e tyre, ajo që solli pasojën e rëndë për mua dhe familjen, i morën jetën fëmijës sim”, vijon ai.
Procesi gjyqësor ndaj mjekëve Rexhepi dhe Burba ka nisur në tetor të vitit 2015. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria tha se vepra penale është kryer përmes veprimeve të kundërligjshme, pasi nuk janë bërë verifikimet e duhura për problemet që e ndjera Haka kishte me zemrën, probleme të evidentuara më parë.
ma.me