Deklaratat e kreut të Partisë Demokratike për situatën ekonomike, korrupsionin, rendin, papunësinë apo varfërinë janë kryekëput të ndryshme me konstatimet e Bashkimit Europian, të reflektuara në progresraportin e nëntorit 2016.
Aq të ndryshme janë këto konstatime, sa që natyrshëm shtrohet pyetja se nga i gjen statistikat dhe përfundimet e saj Partia Demokratike dhe lideri i saj, Lulzim Basha.
Progresraporti, si një dokument zyrtar i BE-së është një “fotografim” i përvitshëm i të gjithë sektorëve të jetës së një vendi që aplikon për t’u integruar. Në këtë kuptim, progresraporti, i hartuar nga Komisioni Europian shquhet për një gjuhë të qartë diplomatike, përmes të cilës identifikon progresin apo regresin që një vend ka bërë gjatë një viti.
“Lexo.al” ka vënë përballë disa prej deklaratave kyçe të Lulzim Bashës, me përfundimet që ka publikuar Bashkimi Europian.
Lulzim Basha: Lajme të këqia vijnë nga ekonomia e vendit që vazhdon të tkurret e të dobësohet. Krahasuar me një vit me parë, por edhe nga muaji në muaj situata vjen në përkeqësim.
Progresraporti 2016: Rritja ekonomike është përshpejtuar, ndërsa situata e punësimit është përmirësuar. Krahasuar me një vit më parë, rritja ekonomike është konsoliduar dhe po përshpejtohet.
Lulzim Basha: Papunësia reale, edhe sipas INSTAT-it nën kontroll qeveritar është në rritje të pandalshme.
Progresraporti 2016: Rritja ekonomike është konsiliduar, ndërsa papunësia është në rënie, ndonëse mbetet ende e lartë. Rimëkëmbja ekonomike ka krijuar vende të reja pune, ndërsa indeksi i punësimit u rrit në 52,9%, nga një minimum historik prej 49,9% në vitin 2013. (INSTAT gjithashtu tregon të kundërtën, që papunësia është në rënie).
Lulzim Basha: Policia e përzierë në pazaret e drogës. Pasiguria dhe krimi në rritje të pandërprerë.
Progresraporti 2016: Vendi ka bërë përparim në luftën kundër krimit të organizuar. Progres është bërë, veçanërisht në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit. Këto përfundime i përkasin periudhës tetor 2015-shtator 2016. Përfundimet bazohet mbi imputin e një shumëllojshmërie informacionesh, si të dhënat e vendeve anëtare, Komisionit Europian, organizatat ndërkombëtare, organizatat jo-qeveritare dhe gjithashtu të dhënat zyrtare të qeverisë së Shqipërisë.
Lulzim Basha: Shqipëria digjet nga varfëria, korrupsioni dhe krimi, ndërsa kryepërgjegjësi na krihet ekraneve si komentator i rubrikës sportive. Vendi është përmbytur nga korrupsioni, që ka shpërthyer në çdo anë.
Progresraporti 2016: Sa i përket mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, si dhe luftës kundër varfërisë, strategjia e re 2015-20 shërben si një udhërrëfyes për luftimin e këtyre fenomeneve. Të dhënat në luftën kundër korrupsionit konfirmojnë një trend pozitiv në rritjen e numrit të hetimeve, gjykimeve dhe dënimeve të zyrtarëve të përfshirë në çështje korruptive. Numri i përgjithshëm i dënimeve, që përfshijnë zyrtarë të nivelit të ulët apo të mesërm u rrit nga 103 në 2014, në 286 në 2015-n. Në gjysmën e parë të 2016-s, në Gjykatat e Apelit kishte 154 çështje, krahasuar me 132 të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Përsa i përket gjykimeve të zyrtarëve të lartë, një gjykatës dhe një avokat u ndëshkuan në 2015-n në nivelin e apelit, ndërsa çështja e një ministri është dërguar në gjykatë dhe mbetet në pritje gjykimi. Në 2016-n, një ish-ministër u dënua me burgim, ndërsa një prokuror u ndëshkua në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Lulzim Basha: Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit.
Progresraporti 2016: Qeveria mbetet e vendosur në rrugën e integrimit dhe ka ndjekur një program reformash, të cilat adresojnë pesë përparësitë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, midis të cilave fuqizimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër ekonomisë informale.
Lulzim Basha: Kanë grabitur pasurite publike dhe parate e taksapaguesve shqiptare per vete dhe femijet e tyre, kane spastruar me liste ne dore administraten publike dhe jane kthyer ne sundimtare te Jugut e Veriut duke ju pire gjakun qytetareve permes vjedhjes, baterdisjes dhe arrogances se tyre ekzemplare.
Progresraporti 2016: Rezultatet pozitive të reformës në administratën publike dhe depolitizimit të saj vazhduan të konsolidoheshin gjatë 2016-s./ Lexo.al