Gjykata e Apelit Tiranë ka zbutur dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë për Spiro Kserën, ishministrin e Punës e të Çështjeve Sociale, të akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Përmes një vendimi të shpallur në 12 dhjetor 2016, një Kolegj i kryesuar nga gjyqtari Astrit Haxhalishi ka caktuar një dënim me 2 vjet burg për ish-ministrin, nga 2 vjet e 6 muaj të caktuar ndaj tij në Gjykatën e Tiranës, në 15 shtator, raporton “Panorama”.
Nga ana tjetër, Apeli nuk ka prekur vendimin e Shkallës së Parë për sa i takon deklarimit fajtor të Kserës. “Lënien në fuqi të vendimit Nr.2780, datë 15.09.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë ndryshim: Në bazë të nenit 135 e 25 të Kodit Penal, i pandehuri Spiro Foto Ksera të dënohet me 2 vjet burgim”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Apelit.
Për shkak të zbatimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, Ksera përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 16 muaj heqje lirie. Njëkohësisht Gjykata i hoqi të drejtën Kserës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Ksera u arrestua në 29 janar 2016 dhe u hetua e u gjykua në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Derisa vendimi merr formë të prerë në Apel, një ditë paraburgim llogaritet si 1.5 ditë vuajtje dënimi. Për këtë shkak, ish-ministri është në ditët e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Fierit, ku është transferuar prej pak kohësh. Ndërkohë këto ditë ish-ministri është jashtë qelisë, pasi ka marrë një leje shpërblyese.
Një mik i tij publikoi dje një foto në “Facebook” me shënimin: “Miku im Spiro Ksera pranë familjes, e drejta shumë shpejt do dali”.
Nga ana tjetër, vendimi i Apeli la të pandryshuar deklarimin e fajshëm të tre ishvartësve të Kserës, të bashkëpandehurve Artevis Mene, Elda Kozaj dhe Elizabeta Dodbiba. Ata u dënuan me nga 10 muaj burg për akuzën e “falsifikimit”, ku për dy të fundit u pezullua dënimi me burg.
VJEDHJA
Sipas Prokurorisë, ish-ministri Spiro Ksera dhe disa ishvartës të tij janë përgjegjës për vjedhjen e 30 mijë lekëve të rinj, fonde të kësaj ministrie. Paratë e përvetësuara kanë qenë destinuar për pesë aktivitete kulturore dhe sociale për shtresat në nevojë gjatë vitit 2013.
Shkeljet janë vërejtur që në përzgjedhjen e fituesve të tenderit për organizimin e aktiviteteve nga një bashkim kompanish, që nuk kishte kapacitetet e nevojshme dhe deri te mbushja me dokumente fiktive të dosjeve të organizimit të aktiviteteve. Gjatë gjykimit Ksera mbajti qëndrim mohues dhe pretendoi se nuk ka asnjë lidhje me akuzën./a.k