Profesori i historisë, Nikolla Pano thotë se Shqipëria nuk ka përmbushur procesin e tranzicionit.
Në një intervistë për Zerin e Amerikës, Pano deklaron se pas 25 vitesh, po arrijmë në pikën ku do të ishte e dëshirueshme të shihnim konsolidim më të fortë të institucioneve.
Pano ka deklaruar se “sjelljet e udhëheqjes komuniste janë ende të rrënjosura”
Megjithëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, shumë vëzhgues mendojnë se Shqipëria gjendet ende në periudhë tranzicioni nga sistemi i vjetër drejt një demokracie funksionale të tregut. Cili është vlerësimi juaj për demokracinë në Shqipëri?
Nikolla Pano: Çështja e tranzicioneve demokratike në vendet ish-komuniste është një temë debatesh të shumta në radhët e akademikëve, në disa prej të cilave kam marrë pjesë edhe unë. Besoj se në rastin e Shqipërisë procesi i tranzicionit nuk është përmbushur. Kemi një bazament që është krijuar për institucionet demokratike, por nëse do të thonim se këto institucione demokratike në Shqipëri, sistemi parlamentar, sistemi politik shumë partiak, janë të shëndosha, atëherë do të ishim disi jorealistë. Ka patur një tranzicion ekonomik dhe mendoj se është bërë progres domethënës në këtë fushë. Kjo është inkurajuese. Një tjetër fushë që mua më shqetëson, për sa i përket shoqërisë, është pabarazia sociale dhe ekonomike që ka Shqipëria. Është një çështje tepër serioze dhe qeveria shqiptare duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje trajtimit të problemeve në këtë drejtim. Këtu përfshihen shumë gjëra, që nga shpërndarja jo e barabartë e të ardhurave deri tek pabarazia në zhvillimin rajonal në Shqipëri. Këto janë çështje që janë diskutuar. Udhëheqësit qeveritarë tregojnë se janë në dijeni të këtyre problemeve dhe sfidave, por ato duhen trajtuar. Ekziston sigurisht çështja e korrupsionit që është i kudondodhur, jo vetëm në sektorin qeveritar, por edhe në sektorin privat.
Megjithëse Shqipëria hyri në një sistem të ri duke e filluar nga një stad tepër i ulët, a nuk janë të mjaftueshme 25 vite që vendi të kishte arritur më shumë?
Nikolla Pano: Kur u rrëzua regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1990, unë dhe disa kolegë të mitë menduam se do të duheshin 20 deri në 25 vite që Shqipëria të kalonte sfidat me të cilat përballej, për shkak të, siç thatë edhe juve, nivelit nga ku shqiptarët po ia fillonin. Pas 25 vitesh, po arrijmë në pikën ku do të ishte e dëshirueshme të shihnim konsolidim më të fortë të institucioneve. Do të kishte qenë më mirë nëse do të ishin trajtuar disa nga çështjet sociale të vendit, zhvillimi jo i barabartë i zonave rurale dhe atyre urbane. Jam i kënaqur që të paktën qeveria flirton me idenë se duhet më shumë zhvillim në zonat rurale dhe infrastrukturën rurale. Krahas shumë çështjeve të tilla është dhe nevoja për ndryshimin e qëndrimeve të udhëheqjes politike. Sjelljet e udhëheqjes komuniste janë ende të rrënjosura…
Si e shpjegoni ju këtë? Përse është aq i vështirë ndryshimi i këtij mentaliteti?
Nikolla Pano: Është e vështirë të ndryshojë ky mentalitet, sepse së pari, një numër i madh i qeveritarëve, i udhëheqësve në të dyja partitë kryesore, madje edhe në disa nga partitë më të vogla, janë rritur në sistemin komunist. Kjo është e vetmja gjë që ata njohin. Influenca e tyre vetëm tani ka filluar të venitet. Po fillojmë të shohim një tranzicion gradual drejt një klase të re udhëheqësish, një brezi të ri udhëheqësish. Por, jam gjithashtu i pikëlluar që edhe në radhët e disa udhëheqësve të brezit të ri ekziston i njëjti mentalitet. Shpresoj se tani që gjithnjë e më shumë shqiptarë po arsimohen në vende të tjera dhe shumë të tjerë fillojnë të përjetojnë nëpërmjet udhëtimeve se si funksionon atje demokracia, mund të krijohet një mentalitet më qytetar. Mendoj gjithashtu se edhe shkollat shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për arsimimin qytetar.