Ngadalë por sigurt jemi duke shkuar drejt smartfonëve të palosshëm dhe kompania Samsung mund të jetë pioniere në këtë fushë. Ajo nuk do të jetë vetëm, sepse edhe LG Display është duke zhvilluar ekranet OLED të palosshme, në bashkëpunim me disa prodhues gjigantë të pajisjeve teknologjike.
Sipas një raporti nga Koreja e Jugut, thuhet se filialet e LG Display kanë hyrë në partneritet me kompanitë e njohura si Apple, Google dhe Microsoft për një qëllim, krijimin e ekraneve të palosshme, transmeton Koha.net. Po ashtu, edhe divizioni i LG-së për smartfonë është pjesë e këtij partneriteti.
Kjo nuk është hera e parë që po dëgjojmë për përpjekjet e LG-së në fushën e ekraneve të palosshme. Në fakt, kanë kaluar disa vjet që kur LG ka paraqitur disa prototipe të tilla, kështu që prodhimi masiv nuk mund të jetë dhe aq larg. Megjithatë, analistët thonë se Samsung mund të ketë më shumë përvojë kur është fjala për prodhimin masiv të ekraneve të palosshme dhe kështu ajo është një hap përpara.
Raporti nuk tregon shumë se kur mund të presin konsumatorët potencialë pajisjet me ekrane të palosshme, edhe pse në mend na bie iPhone i vitit të ardhshëm i cili pritet të vijë me ekran fleksibil OLED. Por “fleksibil” në këtë aspekt nënkupton vetëm “i lakuar”, dhe, në fakt, jo i palosshëm, për të mos përmendur spekulimin se do të jetë Samsung i cili do të furnizojë shumicën e këtyre ekraneve te Apple. Vetëm koha do ta na tregojë, përgatiti Koha. (b.an)