Që prej vitit 2008, ekzekutimi i dënimit me punë vullnetare në shërbim të komunitetit është një kompetencë pothuajse eksluzive e bashkive në mbarë vendin. Një ligj i aprovuar në kohën e qeverisë së parë Berisha sanksionon se është detyrë e institucioneve shtetërore, që të zbatojnë kërkesën e Shërbimit të Provës, për t’i ofruar vend pune pa pagesë në të mirë të komunitetit, të burgosurve që dënohen me këtë masë ose që i amnistohet një pjesë e dënimit, duke i vendosur këtë detyrim.
Kjo është një fakt i rëndësishëm, sidomos në ditët kur pas lirimit të Lul Berishës, Partia Demokratike ka fajësuar kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, si garantin e lirimit të tij. Për PD, Dako është fajtor sepse përmes një shkrese formale, bashkia garantoi punësimin e ish-të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Lexo.al bëri një verifikim të ligjit ku shihet se e vërteta është ndryshe.
Konkretisht, ligji që i imponon Bashkisë së Durrësit marrjen në punë të Lul Berishës apo çdo të dënuari tjetër të këtij Qarku me punë vullnetare është ligji LIGJ nr.10 024, datë 27.11.2008. Neni 31 i këtij ligji të aprovuar kur Kryeministër i vendit ishte Sali Berisha, thekson:
Neni 31
Ekzekutimi i vendimit me punë me interes publik (Ndryshuar me ligjin nr.10 024, datë 27.11.2008)
Kur gjykata vendos pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe, me pëlqimin e të dënuarit, zëvendësimin e tij me detyrimin për kryerjen e një pune të papaguar me interes publik, parashikuar në nenin 63 të Kodit Penal, ia dërgon menjëherë vendimin përkatës prokurorit për ekzekutimin e dënimit alternativ. Shërbimi i provës, duke pasur parasysh aftësitë dhe formimin profesional të personit të dënuar, harton dhe zhvillon një program për kryerjen e punës me interes publik. Para fillimit të kryerjes së punës me interes publik, shërbimi i provës, në bashkëpunim me subjektin, pranë të cilit do të kryhet puna, i bëjnë të ditur personit të dënuar rregullat e sigurimit teknik në punë. Shërbimi i provës informon personin e dënuar për detyrimin e tij, për të mbajtur kontakte dhe për të përmbushur udhëzimet e dhëna nga ky shërbim. Shërbimi i provës përcakton listën e institucioneve/shoqërive, publike apo private, ku mund të kryhet puna me interes publik.
LEXO LIGJIN E PLOTE NE LINKUN
–http://www.pp.gov.al/web/ligji_per_ezekutimin_e_vendimeve_penale_i_perditesuar_1035.pdf
Në bazë të ligjit të aprovuar në kohën e Kryeministrit Berisha, Shërbimi i Provës ka për detyrë të gjejë një punë për të burgosurin e liruar, në rastin konkret Lul Berishën dhe Bashkia Durrës, nëse asaj i kërkohet që të ofrojë punë, është e detyruar të garantojë zbatimin e vendimit të gjykatës, përmes ofrimit të vendit të punës.
Pavarësisht këtij ligji të aprovuar nga vetë qeveria e djathtë, Partia Demokratike ka akuzuar gjatë ditëve të fundit kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon, se është ai që ka liruar Lul Berishën, duke i garantuar punë, kur vendimin për lirimin e një të burgosuri nuk mund ta marrë një kryebashkiak, por vetëm gjykata.
Në vitin 2014, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda i hapi rrugë lirimit të Lul Berishës, i dënuar në 2006-n me burgim të përjetshëm për vrasje dhe organizim të një organizate kriminale, duke ndryshuar dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie. Lul Berisha përfitoi në vazhdim nga tre amnisti të njëpasnjëshme dhe nga konvertimi i dënimit të realizuar në qelitë e paraburgimit.
Njëri prej gjykatësve të trupës që rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm për Lul Berishën ka qenë pjesë e trupave gjykuese që mbyllën edhe dosjen e Gërdecit, 21 Janarin dhe që shpallën ish-guvernatorin Fullani të pafajshëm. /Lexo.al