Krerët e partive të vogla, të mbledhur bashkë, i janë drejtuar sot me një listë kërkesash Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke ftuar edhe deputetët e tjerë të Kuvendit t’i bashkohen nismës.
“Nisur nga qëndrimi që mbajti Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, i cili theksoi rëndësinë e zgjedhjeve, duke e konsideruar këtë si një kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë, për shqiptarët që duan zgjedhje të ndershme, nisur nga shtyrja e pajustifikueshme e komisionit dhe nga pamundësia kohore për të ndryshuar sistemin zgjedhor reagojmë publikisht me këto kërkesa”- thuhet në deklaratën e tyre, që mban firmat e Blushit, Hafizit, Ndokës, Dules, Dashamir Shehit dhe Agron Dukës.
- Përbërje jopartiake e komisioneve zgjedhore
- Numërim elektronik të votave
- Kontroll dhe tavan mbi shpenzimet e partive politike dhe audit ndërkombëtar
- Ashpërsim të masave për shitblerjen dhe tjetërsimin e votës
- E drejtë vote për emigrantët
- Hapësirë e barabartë mediatike gjatë fushatës
- Dekriminalizim të listave zgjedhore.
Ata i bëjnë ftesë të gjithë kolegëve tanë parlamentarë t’i bashkohen kësaj nisme, në mënyrë të veçantë anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, të cilët duhet të marrin seriozisht kërkesat tona.
“Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike në parlament, lidhur me çështjet emergjente të reformës zgjedhore. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë kryefjala e aktivitetit politik në muajt që kanë mbetur. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë kushti i integrimit të vendit tonë në BE”- përfundon deklarata.
ma.me