Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e 6300 m2 tokë arë, të blera me vlerë totale 11 milionë lekë të reja, brenda të cilës janë edhe tre ndërtesa, dy me nga një kat dhe një me 3 kate, si edhe dy llogari bankare, në vlerë totale 10 mijë euro, në emër të Aleko Perlesi dhe familjarëve të tij, pasi është provuar se këto pasuri janë produkt i parave të krijuara nga aktiviteti kriminal i tij kriminal i “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”.
Nga hetimi, ka rezultuar se në llogaritë bankare, në të cilat janë konstatuar vetëm 10 mijë euro, në periudhën 2013-2014 kanë qarkulluar mbi 90 mijë euro. Pasuritë, per të cilat kërkohet konfiskimi dhe kalimi në emër të shtetit, aktualisht gjenden nën sekuestro preventive.
Perlesi është hetuar nga Prokuroria e Durrësit dhe është dënuar nga gjykata në vitin 2007 për shfrytëzimin për qëllime prostitucione të tre vajzave.
Por, nga informacionet e mbërritura në Prokurorinë e Durrësit, rezulton se në emër të tij dhe të familjarëve të tij, ndërkohë që po vuan dënimin, po kryheshin transaksione financiare dhe blerje, të cilat kishin burim të dyshimtë financiar.
Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë Durrës i janë përcjellë materialet Prokurorisë për Krime të Rënda për hetimin e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, e cila e ka kompetencë hetimore në kuadër të ligjit “Antimafia”.