Zona që nga Lapraka dhe deri në hyrje të Rrugës së Durrësit ka mbetur pa energji elektrike mëngjesin e sotëm. Shkak është bërë dëmtimi i kabllos nga një firmë që po punon për kanalizimin e një blloku pallatesh. Menjëherë ka reaguar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili njofton se po punohet për eliminimin e defektit të shkaktuar.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njofton se një firmë private e nënkontraktuar nga bashkia për sistemimin dhe kanalizimin e bllokut të pallateve në Laprakë ka dëmtuar kabllon 20 KV të fiderit A7 n/stacioni Rajonal që furnizon me energji gjithë zonën e Laprakës.
Aktualisht janë pa energji zona e Laprakës, që përfshin pallatet pranë spitalit Ushtarak deri në hyrje të rrugës së Durrësit. Grupet e punës së avarisë janë në terren dhe po punojnë për gjetjen e më pas eliminimin e defektit të shkaktuar”, thuhet në njoftimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sakaq, OSHEE njofton se do të marrë të gjitha masat duke kallëzuar penalisht subjektin përgjegjës për dëmin e shkaktuar kompanisë dhe abonentëve të saj. /MA.ME