Kreu i ekzekutivit grek deklaroi se një ditë pas referendumit do të shkojë në Bruksel dhe do të firmosë një marrëveshje. Gjatë një interviste në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, Aleksis Cipras siguroi se kjo marrëveshje do të firmosej brenda 48 orëve nga zhvillimi i referendumit.
”Me fitoren e ‘jo’-së do të ketë një zgjidhje të qëndrueshme për Greqinë. Sa më e fortë të jetë ‘jo’-ja aq më e mirë do të jetë marrëveshja” – tha ai.
Cipras u shpreh se nëse në referendum fiton ‘po’-ja, ai do të ndjekë procedurat e parashikuara nga Kushtetuta për të mundësuar që propozimet e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të shndërrohen në ligje.
”Në këtë skenar të mundshëm nuk do të vë karrigen time mbi interesat e kombit” – theksoi Cipras duke aluduar edhe për një dorëheqje të mundshme.