Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një qasje më strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që këto shtete të mos përfundojnë si dëm kolateral.
Ai theksoi se për herë të parë, procesi i zgjerimit vjen në formën e një deklarimi nga ana e Presidencës së BE-së në rastin e Shqipërisë, ndërsa i kërkohet vendit tonë që të zbatojë sa më parë reformën në drejtësi.
Bushati: Bashkimi Evropian duhet të ruaj një qasje më strategjike në rajon, në mënyrë që integrimi në BE të mos kthehet në një proces teknik dhe pa shpirt politik. Është e rëndësishme që shoqëritë tona të sigurohen se Ballkani Perëndimor nuk do të përfundojë si dëm kolateral në procesin e kërkimit të së ardhmes në BE. Ne besojmë se kemi përgjegjësi të përbashkët sepse ashtu jemi angazhuar duke bërë reformën në drejtësi të paprecedentë krahasuar me vendet e rajonit, duke forcuar bashkëpunimit rajonal si dhe duke linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së, ku siç dihet rekordi ynë është 100%.
Komisioni Evropian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit të ligjit të Vettingut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të ketë në përmbushjen e plotë edhe të prioriteteve kyçe që do të na shoqërojnë edhe gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE.
Për herë të parë, konkluzionet për procesin e zgjerimit vijnë në trajtën e një deklarimi të Presidencës së BE-së, jo vetëm konfirmohet qasja e KE-së për sa i përket rekomandimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, por nga ana tjetër i jepet Komisionit edhe një detyrë për të ndërvepruar me Shqipërinë qoftë në planin teknik për zbatimin e reformës në drejtësi, por i jepet Shqipërisë një shans për të zbatuar reformën në drejtësi, në mënyrë që Komisioni Evropian të paraqitet para vendeve anëtare veçmas nga paketa e zgjerimit për një raport të ndërmjetëm për përmbushjen e kriterit./ora/a.k