Një 45-vjeçar shqiptar, në kamionin e të cilit u gjetën të fshehura 67 kilogramë kanabis sativa, është arrestuar nga autoritetet portuale greke në Portin e Patras, gjatë imbarkimit drejt Italisë.
Sipas autoriteteve greke, shtetasi shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik, u ndalua pak minuta përpara se të nisej me traget drejt Italisë mëngjesin e së hënës.
Lënda narkotike ndodhej e fshehur në disa vende të fshehta të kabinës së kamionit që drejtonte 45-vjeçari, e për gjetjen e saj u kërkua ndihma e qenit të policisë K9.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua kamioni, 3 celularë, 1.200 euro “cash” dhe një pajisje GPS.
Roja bregdetare greke deklaroi se 45-vjeçari iu tha agjentëve të saj se lëndën narkotike po e transportonte drejt Europës Perëndimore, për llogari të një bande shqiptare të trafikut të narkotikëve raporton tch. Ai do të paguhej për transportin e saj, sapo t’ua dorëzonte trafikantëve në Itali.
Autori iu tha agjentëve se po provonte edhe masat e sigurisë, në mënyrë që gjatë udhëtimit tjetër që do të kryente, ta shtonte sasinë e lëndës që do të transportonte.
45-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Patrës, e cila vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. Kjo është sasia e parë e kanabisit, e kapur në Portin e Patras pas më shumë se 6 muajsh./a.m.