Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ka pritur në një takim Ambasadoren e Greqisë në Tiranë Eleni Sourani. Gjatë takimit u vu në dukje bashkëpunimi i ngushtë policor midis dy vendeve në çështje kyçe të sigurisë, luftës kundër trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Çako theksoi se operacionet e përbashkëta të zhvilluara mes dy policive, janë prova të besueshmërisë së Policisë së Shtetit në marrëdhëniet e saj me policitë e vendeve partnere. Njëherësh këto operacione të përbashkëta me strukturat e policive të vendeve fqinjë, të mbikëqyrura edhe nga EUROPOL, janë konsideruar si operacione të suksesshme në nivelin evropian.
Në fjalën e saj, Ambasadorja e Greqisë Sourani, përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy organizatave policore, të cilin e konsideroi si faktor të rëndësishëm në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Duke folur rreth bashkëpunimit në fushën e policisë, Çako tha se kemi një sërë akt- marrëveshjesh e protokollesh me Policinë greke, të cilat funksionojnë në mënyrë shumë të qartë dhe korrekte në aspektet e luftës kundër krimit të organizuar, në aspektet e kontrollit të menaxhimit të kufijve, por edhe të të gjitha procedurave dhe standardeve të Bashkimit Europian.
Në fund të takimit Çako dhe Sourani shprehën dëshirën e forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy organizatave policore.