Sot mbahet finalja e madhe e “Kënga Magjike” në Pallatin e Kongreseve, por ethet e garës finale janë bërë publike edhe nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale.
Duke qenë se po afron fundi, pak a shumë duke njohur klikimet dhe pëlqyeshmërinë e këngëve nga publiku, mund të themi se disa këngëtarë janë më pretendentë se disa të tjerë.
Por pikërisht lidhur me pretendentët dhe mënyrën se si këta të fundit janë përkrahur nga portale apo media në përgjithësi ka reaguar disi ashpër Soni Malaj, në një intervistë për “Bluetooth”.
Këngëtarja ka treguar se edhe pse ajo ka qenë surpriza e këtij edicioni, sipas saj, vetëm emrat e dy këngëtareve lakohen në portale dhe ato janë Arilena Ara dhe Rozana Radi, duke thënë se mënyra se si disa portale e kanë të ndaluar të shkruajnë për të e bën Sonin të mendojë se po luhet një lojë e pistë.
Sipas këngëtares, ky anashkalim është si pasojë e një urdhri të dikujt, por ajo nuk beson se bëhet fjalë për Ardit Gjebrean dhe produksionin e tij.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë për “Bluetooth”:
Soni, ke pasur një performancë magjike në skenën e festivalit “Kënga Magjike”, por ke një shqetësim në lidhje me këtë?
-Po. Disa portale më kanë thënë që nuk shkruajnë dot për performancën time, sepse ua kanë ndaluar dhe u kanë thënë që duhet të shkruajnë vetëm për dy këngëtare.
Bëhet fjalë për Arilena Arën dhe Rozana Radin?
-Po. Më kanë thënë që megjithëse kam qenë surpriza e këtij edicioni, nuk shkruajnë dot për mua, sepse ua kanë ndërprerë.
Kjo ka qenë kërkesë e organizatorëve të festivalit?
-Nuk e di, sepse nuk ma thonë këtë gjë, por pashë edhe lajmet ku u anashkalova, thuhej vetëm që mora pjesë. Ma thanë edhe të tjerë dhe po shoh që po bëhet lojë e pistë.
Arditi, apo dikush nga produksioni të kanë thënë gjë në lidhje me çështjen?
-Jo, nuk më thonë se nga është dhënë urdhri, por nuk mendoj se ka ardhur nga produksioni dhe Arditi.
Po mendon se duan t’ia japin çmimin Rozana Radit?
-Nuk e di, nuk di ç’të them, sepse u bë kohë që po e vija re një anashkalim, por nuk i kisha dhënë shumë rëndësi. Por tani ma konfirmuan, më thanë që është urdhëruar të mos shkruhet për mua dhe të mos favorizohem./a.m.