Top-Channel ka mësuar se zyra e kryeministrit Edi Rama ka nisur lajmërimet për të gjithë të zgjedhurit e 21 Qershorit, për një takim ditën e hënë lidhur me rrugën e re të bashkepunimit mes qeverisë dhe 61 njësive vendore.
Pritet që vec instalimit të një marrëdhënieje të rë bashkëpunimi mes qeverisë qëndrore dhe asaj lokale, të diskutohet edhe vazhdimësia e qeverisjes vendore në periudhën e tranzicionit që fillon me shkrirjen e administratave ekzistuese lokale nga data 7 korrik deri në marrjen e pushtetit tërësisht nën kontroll nga njësitë e reja vendore. Me ndërprerjen e buxhetit për njësitë vendore që shkrihen, në 7 korrik, administrata që do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve do të paguhet nga qeveria qëndrore, por ende nuk ka orientime të qarta se si do të funksionojë ky mekanizem.
Ftesën e takimit e konfirmon edhe nje i zgjedhur nga kampi opozitar që kërkoi të mbetet anonim. I pyetur për këtë takim ai tha se “nuk e priste kaq shpejt këtë ftesë të kryeministrit Rama dhe për momentin nuk mund të konfirmonte prezencënn e tij”.
Kjo ftesë duket se i ka gjetur të papërgatitur dhe njëkohësisht të befasuar të zgjedhurit nga kampi i djathtë në një kohë kur gjatë fushatës elektorale Basha deklaronte se “Edi Rama nuk do të bashkëpunojë me të zgjedhurit e djathtë”. Ndërsa Rama me dhjetra herë gjatë fushatës e përsëriti historinë e një kryebashkiaku të djathtë I cili kishte dërguar një sms për ta takuar dhe se kishte frikë ta takonte në zyre.
Vetë Rama në të gjitha takimet elektorale mohoi kategorikisht se sulmet e tij të hapura ndaj ketyre te fundit në fushatë, do të vazhdojnë në formën e bllokimit të qeverisë për të zgjedhurit vendore të opozitës.
Ky takim vetëm dy javë nga 21 Qershori i kërkuar nga kryeministri të zhvillohet ditën e hënë, përbën një lloj momenti të së vërtetës për të dyja palët në raport me detyrimet e tyre ndaj zgjedhesve e ndaj marredhenieve ligjore institucionale.
Mbetet ende e paqartë nëse lajmi ka mbërritur në Selinë Blu dhe se cili do të jetë orientimi për të zgjedhurit e djathtë kundrejt kësaj ftese të Ramës.
Mbetet për tu parë të hënën nëse shtrirja e dorës së kryeministrit Rama në drejtim të kundërshtarëve që mundën kandidatët e ASHE do të mbetet në ajër apo rruga e saponisur e implementimit të reformes administrativo-territoriale do të nisë më një duarshtërngim mes paleve.
Cka do te ishte dicka e re në historine e gjatë te konflikteve e bllokimeve mes pushtetit qëndror e vendor për rastet kur këta të fundit e kontrollojnë kundeshtarët e qeverisë së radhës.
Nga Muhamed Veliu TCH