Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli janë marrë vesh për të ndërtuar një front të perbashkët opozitar. Krah tyre është edhe Nisma për Kosovën.
Burime të Gazetës Express thonë se tri partitë do të garojnë me një listë në zgjedhjet e ardhshme.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë vendosur t’i bashkojnë forcat për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend.
Marrëveshja është arritur ndërmjet kreut të AAK’së, Ramush Haradinaj, dhe atij të AKR’së, Behgjet Pacolli, në shtëpinë e këtij të fundit.
Ata kanë pozuar me flamurin kuqezi pas arritjes së marrëveshjes për koalicion. Gazeta Express e ka siguruar fotografinë e bërë pak minuta më parë.
Rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas ka qenë indikator i qartë që i ka bërë bashkë Haradinajn, Pacollin dhe kreun e Nismës, Fatmir Limajn.
Orë më parë Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është duke u punuar në krijimin e një platforme AAK-AKR-NISA, për t’i ofruar vendit një platformë të veçantë qeverisëse.
“Nuk është cështja ku gjendemi ne në listë të zgjedhjeve, por problemi është cka bëhet me vendin, me mënyrën si qeveriset ai. Unë jam për të punuar bashkë, nëse mund t’i japim vendit një mundësi që të mos mbetet në këtë agoninë që e kanë krijuar dy partitë në pushtet. Nëse AKR vendos të jetë me ne, ne do ta respektojmë këtë partneritet, për t’i dhënë vendit një ofertë të përbashkët”, citohet ”Express”. (b.an)