“Sikurse jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës rriti në mënyrë abuzive në një megaaferë korruptive çmimin e biletës së transportit urban me 30%, dhe ne shprehëm opinionin tonë që rritja ishte e pastudiuar dhe mbi të gjitha e pakonsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit. Pothuajse një vit më pas edhe pse me shumë vonesë, Kontrolli i Lartë të Shtetit, fakton dhe provon absolutisht pa asnjë ekuivok të gjithë ato që ne kemi deklaruar e kontestuar, që 6 milion dollarë të hequra nga xhepat e qytetarëve, do të shkonin në xhepat e klientëve të kryetarit të bashkisë Veliaj.
Tashmë të ndodhur para këtij konstati shumë serioz dhe profesional të ekspertëve të KLSH, grupi i këshilltarëve të PD përgatiti një projektvendim, që e depozituam sot për tu marrë në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak ku kërkohet në mënyrë absolute rikthimi i çmimit të biletës së transportit urban në parametrat e mëparshëm pra 300 lekë të vjetra dhe, në të njëjtën kohë përjashtimin nga bileta e transportit urban të të gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin e detyruar nëntëvjecar”, u shpreh Olli.