Levizja Sfida e Gjergj Bojaxhiut ka kritikuar situaten e krijuar me biznesin e Call-center ne javet e fundit. ja cfare thuhet ne deklaraten e saj:
Bizneset e sherbimeve telefonike apo sic njihen “Call Center-at” jane bërë qendër ekonomike, vecanërisht për mijëra të rinj.
Ligji në Itali për “Call Center”, që e bën më të vështirë punën për kompanitë italiane që operojnë në Shqipëri, megjithëse është ekzagjeruar në mediat shqiptare, krijon realisht kosto dhe pengesa për 804 kompani dhe rreth 25 mijë të punësuar në këtë sektor.
Edhe pse, për momentin, pasojat negative të këtij ligji për kompanitë shqiptare nuk do të jenë masive dhe të menjëherëshme, kemi dy përfundime që mund të arrijmë prej kësaj çështjeje: 1) Kemi të bëjmë me një tendencë të qartë të politikës europiane dhe ndërkombëtare, që është rritja e nacionalizmit ekonomik. 2) Kjo tendencë përbën kërcënim për ekonominë shqiptare sepse ekonomia jonë është e brishtë.
Pra, një draft ligj i nje sektori specifik, në një vend të huaj, alarmon gjithë ekonominë dhe vendin tonë. A po e pyesim veten si ka mundësi? A po e pyesim veten pse kemi mbetur kaq të varur? Kjo është strategjia ekonomike e qeverive shqiptare? A meritojmë të mbetemi mbledhës kockash të ekonomive të tjera? Kaq është potenciali ynë? JO! Kaq është potenciali i këtyre qeverive! Shqiptarët munden shumë më tepër!
Politika shqiptare po zhgënjen sërish. Paaftësia e elitës politike për të ndërtuar një model ekonomik të qëndrueshëm, ekspozon hapur varësinë e fuqisë punëtore në Shqipëri ndaj rrezikut të tekave të vendeve fqinje. Si jashtë vendit, por edhe brenda tij, shqiptarët gjithnjë e më tepër po ndihen të braktisur nga shteti i tyre, një shtet që thotë se “fqinjësinë e mirë” e ka prioritet. Prioritet për kë? Për qytetarët apo për oligarkët?
Kësisoj, Sfida jonë mbetet ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm ekonomik, të bazuar në dhënien prioritet të zhvillimit të sektorëve vendas dhe marrëveshjeve të mirëpërcaktuara me kompanitë e huaja. Fuqia punëtore shqiptare meriton prioritet, mbështetje dhe mbi të gjitha siguri. Shqiptarët meritojnë model të ri qeverisës që të mund të përfaqësojë vërtet vlerat dhe interesat e tyre! Kjo është Sfida jonë për Shqipërinë!