Ukraina ka nisur provat raketore në Detin e Zi, ndërkohë që Rusia raportohet se i ka vënë në gatishmëri të lartë forcat e saj të mbrojtjes në Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Volodymyr Kryzhanovsky, tha se provat, të cilat do të zgjasin dy ditë, po zhvillohen së paku 30 kilometra larg hapësirës ajrore të Krimesë.
Ai tha se provat po bëhen në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe shtoi se ushtria e Ukrainës është e gatshme për “çdo zhvillim”.
Kievi ka thënë se qëllim i ushtrimeve është të forcohen kapacitetet e mbrojtjes.
Gadishulli ukrainas i Krimesë është aneksuar nga Rusia në mars të vitit 2014.
Në shtator, Rusia ka mbajtur stërvitje ushtarake, në shkallë të gjerë, në gjithë qarkun e saj jugor ushtarak, duke përfshirë për herë të parë edhe Krimenë. /rel/