Ukraina do të zhvillojë manovra ushtarake për dy ditë pranë Krimesë, gadishulli ukrainas i aneksuar në vitin 2014 nga Rusia, njoftoi sot një zëdhënës ushtarak, një gjest që rrezikon të përkeqësojë më shumë marrëdhëniet mes dy fqinjve.
”Kievi do të kryejë manovra ushtarake, që do të fillojnë nesër në territorin kombëtar”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Andri Lisenko, cituar nga agjencia e lajmeve “Interfax-Ukraine”.
Vëzhguesit ukrainas i tremben në fakt një përgjigjeje të ashpër nga ana e Rusisë, që aneksoi në muajin mars 2014 gadishullin ukrainas të Krimesë, pas një ndërhyrjeje ushtarake dhe një referendumi të denoncuar si të paligjshëm nga Kievi dhe perëndimorët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u tregua evaziv lidhur me këtë çështje.
“Ne nuk do t’i lejonim veprimet e Ukrainës që shkelin të drejtën ndërkombëtare, që çojnë në krijimin e kushteve të rrezikshme për fluturimet ndërkombëtare mbi territorin rus apo në rajonet fqinje”, deklaroi ai për shtypin raporton ATA. Ukraina, ish-republikës sovjetike, është përballur me përkeqësimin e marrëdhënieve me Moskën që prej rrëzimit në fillim të vitit 2014 të presidentit pro-rus, Viktor Janukoviç, pasuar nga aneksimi i Krimesë dhe më pas një konflikt me separatistët prorusë në lindje që ka shkaktuar më shumë se 9 600 të vdekur./a.m.