Ish- presidenti i Partizan it, Albert Xhani, ka kon firmuar dje se institucioni i futbollit shqiptar i ka dhënë 80 mijë euro paradhënie një dekadë më parë. Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Xhani tregon se në shumicën e rasteve, FSHF-ja ia ka kaluar klubit të kuq fondin që UEFA jep për zhvillimin e futbollit të moshave.
“Është e vërtetë që FSHF-ja na ka dhënë në formë paradhënieje një shumë prej 80 mijë eurosh në vitin 2006. Mirë do të ishte të na jepnin edhe më tepër në atë kohë, pasi na takonin”, ka thënë fillimisht ish-drejtuesi i “demave”.
I pyetur nëse është sqaruar ndër vite nga FSHF-ja për Fondin e Solidaritetit, ai dha këtë përgjigje: “Çështja është që mua nuk më shpjegojnë dot shumë gjëra, pasi ato i kuptoj vetë dhe e di se përse bëhej fjalë. Kam qenë i informuar që ishin pagesa të Fondit të Solidaritetit që jepeshin nga UEFA. E kam ditur këtë, pasi në ’email’-in e klubit vinin të gjitha njoftimet nga UEFA. Pra, ishte një informacion që klubet shqiptare duhet ta dinin.
Natyrisht, FSHF-ja nuk ka qenë dashamirëse me ne, por gjithsesi fondi na është lëvruar. Pavarësisht kontradiktave të mëdha që kemi pasur me institucionin e futbollit, nuk mund ta mohoj që na kanë mbështetur. Kjo na dallon ne të Partizanit nga të tjerat, pasi nuk para themi shumë gënjeshtra”.
“Fushat, me xhepin tim”
“Në shumicën e rasteve na i ka dhënë pagesat e solidaritetit, por më duhet të them se FSHF-ja klubeve të tjera u ka bërë nga tri-katër fusha, ndërsa klubit që unë drejtoja nuk iu bë asgjë. Kemi merituar shumë më shumë si Partizan, por nuk ndodhi. U detyruam të investonim vetë, pa pritur ndihmën e FSHF-së.
Nga ana e institucionit të futbollit kishte një arsyetim të tillë që, derisa ne nuk e kishim pronën tonë terrenin ku stërviteshim, nuk mund të na i jepnin si fond. FSHF-ja ka qenë kundërshtari i Partizanit, por unë preferoj të them të vërtetat në rastin e Fondeve të Solidaritetit. Fushat me dhè të kuq janë bërë nga xhepi im dhe investimi ka shkuar afro 780 mijë euro. Ato u bënë që në vitin 2001, ndërsa Fondi i Solidaritetit u shpërnda më vonë”, është shprehur Xhani.
Në lidhje me 80 mijë eurot që mori paradhënie nga FSHF-ja, ai nuk specifikoi nëse ato para ishin për zhvillimin e akademisë. “I përdora aty ku unë kisha më shumë nevojë për klubin. Kemi qenë shoqëri aksionere dhe ishte e drejta jonë se ku do t’i përdornim, nuk mund të pyesnim të tjerë”, theksoi ish-presidenti.
Në fund, Xhani nuk pranoi të bënte një koment për pretendimet e drejtuesve aktualë të Partizanit, sipas të cilëve në katër vitet e fundit që skuadra është pjesë e Kategorisë Superiore, nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Fondi i Solidaritetit. “Nuk kam asnjë koment për këto gjëra. S’jam në dijeni”, përfundoi Xhani, i cili u largua nga Partizani në vitin 2011.