Në jetë luksi tërësisht jashtë mundësive ekonomike të deklaruara, policia italiane arreston shpërndarësin shqiptar të drogës. Sandër Marku, i njohur si Sandro i kalonte ditët në gjumë ndërsa netët nëpër klube, shkruajnë mediat italiane.
Me mijëra miq në facebook dhe selfie të panumërta me shampanjë, shqiptari ka tërhequr vëmendjen e policisë së Fanos në Itali e cila ka ngritur dyshime dhe e ka hetuar.
Marku kishte kontakte me njerëz të shumtë, por asnjëherë nëpërmjet lidhjeve telefonike. Të gjithë e dinin ku ai ishte, gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtat orare.
24-vjeçari shqiptar u vëzhgua për një kohë të gjatë derisa në një aksion të mirëmenduar u kap teksa po shkëmbente drogën me klientin.
Policia ka gjetur në shtëpinë e tij 50 gramë kokainë, para dhe mjete për prerjen e drogës.
Sandër Marku tashmë ndodhet në burg dhe është në pritje të dënimit që gjykata do t’i japë.
Shqiptarja/d.i.