Banka Botërore ka analizuar së fundmi se varfëria e moderuar vijon të ketë një nivel të lartë në Shqipëri. Kjo do të thotë se gati gjysma e popullsisë në vend, apo 45.3 për qind, shpenzon vetëm 5 dollarë në ditë, në të cilat përfshihen të gjitha shpenzimet si për ushqime, veshmbathje, arsim, shëndet, qira etj.
Banka Botërore pohon se mbi 4 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme, me vetëm 2.5 USD në ditë. “Ndërkohë rritja ekonomike e vendit me ritmet 3 – 3.5% deri në vitin 2018 pritet të ketë ndikim zbutës në varfërinë e moderuar dhe në atë ekstreme”, vëren BB.
Institucioni Financiar Ndërkombëtar parashikon që vitin e ardhshëm, numri i personave që shpenzojnë 5 dollarë në ditë të reduktohet në 0.8%. Sipas Bankës Botërore, që nga vitet 2000, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në reduktimin e varfërisë së moderuar, e cila në atë kohë përfshinte 65% të popullsisë. Ndërsa varfëria ekstreme në këto vite ishte rreth 18%.
Por vende të tjera në tranzicion e kanë përmirësuar ndjeshëm raportin e varfërisë së moderuar. Kështu, Kazakistani kishte në vitin 2006 rreth 55% të popullsisë persona që shpenzonin 5 dollarë në ditë, ndërsa këtë vit ky tregues është 13%. Banka Botërore pret që ekonomia shqiptare të ketë një rritje solide në të ardhmen e afërt.
Konsumi ka gjasa që të përmirësohet më tej, nga përmirësimi në tregun e punës, për shkak të projekteve të mëdha infrastrukturore “TAP” dhe “Statkraft”. Banka Botërore vë në dukje se vendit i duhet ende përmirësim në klimën e biznesit dhe reforma për të adresuar NPL-të e larta, të cilat i pengojnë rritjen e investimeve private dhe konsumin në periudhën afatmesme.