Duke filluar që prej qershorit të vitit 2017 do të pushojë së ekizistuari tarifimi roaming. Vendimi ka ardhur pas një takimi maratonë mes negociatorëve europianë, takim që ka zgjatur deri në orët e para të së martës.
Bashkimi Europian kishte planifikuar fillimisht ta ndalojë tarifimin në roaming në Europë deri në fund të 2015-s. Ndërkaq, në mars të këtij viti u deklarua se procesi do të merrte kohë deri në vitin 2018, kur tarifimi për komunikimet telefonike jashtë vendit do të ndalej përfundimisht.
Negociatat mbi reformat e tregut të përbashkët nuk ishin dhe aq të lehta. Ato u ndërmjetësuan nga letonezët, të cilët arritën të gjejnë një kompromis mes negociatorëve. Sipas marrëveshjes së arritur, tarifimi roaming në Europë do të përfundojë në qershor të 2017-s.
Pra, e thënë më thjesht; nga qershori i dy viteve më pas, kur ne të udhëtojmë nëpër Europë dhe të përdorim telefonin tonë celular, do të paguajmë të njëjtat tarifa si në vendin tonë, për thirrje telefonike, SMS dhe navigim në internet.
Megjithatë, marrëveshja e re thuhet se ka disa rregulla të reja për neutralitetin e internetit. Rregullat e reja për roaming në Europë janë mjaft të qarta, ndërsa rregullat e reja për neutralitetin e internetit konsiderohen “pak konfuze” nga ekspertët, dhe “nuk i përcaktojnë saktë detyrimet e operatorëve”. Ndaj në të ardhmen do të kërkohen saktësime të disa termave që përmbledh marrëveshja e arritur së fundmi.
Top Channel