Kryeministri grek Aleksis Tsipras, në një intervistë për televizionin shtetëror ERT, u ka bërë thirrje grekëve të votojnë “jo” në referendumin e së dielës për të hedhur poshtë kërkesat e kreditorëve. Sipas Tsipras kjo votë kundër masave shtrënguese do ta ndihmojë Greqinë të negociojë një zgjidhje më të mirë të krizës.
Në rast të kundërt, ai ka paralajmëruar se do të japë dotëheqjen duke u shprehur se nuk është një kryeministër i përhershëm, duke nënkuptuar që, nëse vendimi i grekëve do të jetë pro masave, atëherë ai do të lërë postin e kryeministrit dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjen do ta japë populli grek. Nëse grekët dëshirojnë të vazhdojnë me masat shtrënguese në përjetësi, me reformat e ashpra që nuk do të na lënë të ngremë kokën, që po detyrojnë mijëra të rinj të largohen jashtë shtetit, që do të shkaktojnë rritje të papunësisë dhe të marrim përsëri programe ndihme dhe kredi, nëse kjo është zgjedhja e tyre, ne do ta respektojmë atë, por nuk do të jemi ne ata që do ta zbatojnë”, tha Tsipras.
Tsipras gjithashtu ka deklaruar se Greqia nuk paguan sot detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.6 miliardë euro. Megjithë kërcënimet dhe rrezikun për daljen e vendit nga Eurozona, sipas britanikes “Daily Telegraph”, ministri grek i Financave, Gianis Varoufakis, ka deklaruar se qeveria greke do të shkojë në Gjykatën Europiane të Komuniteteve, pasi statusi i BE-së nuk parashikon daljen e një vendi anëtar të euros nga zona e monedhës së përbashkët.