Ka shkaktuar zhurmë ekipi që presidenti i ri Donald Trump po zgjedh për të qeverisur Amerikën. Ja cilat janë figurat më të debatuara të orëve të fundit që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Javanews:
Michael Flynn, këshilltar për sigurinë kombëtare
Në korrik ndodhej në rreshtin e parë të atyre që thërrisnin në Cleveland për ta çuar në burg Hillari Klintonin. Kurse sot gjenerali Michael Flynn, mik me Putinin dhe ultrakonservator, e sheh veten në postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare. Një post kyç për çeshtjet e sigurisë dhe të politikës së jashtme amerikane.
Jeff Sessions, ministër drejtësie
Njeri i afërt me Ronald Reaganin dhe armik i vjetër i Joe Biden, zv.presidentit aktual. Sessions është parë nga demokratët, por dhe nga shumë republikanë, si një personazh që ka një dozë të lartë racizmi në qëndrimet e tij. Posti delikat i ministrit të drejtësisë natyrshëm shkakton frikë dhe dyshime në duart e tij. Ish-prokuror i përgjithshëm i Alabamas, një prej shteteve më raciste të SHBA.
Mike Pompeo, drejtor i CIA
Krenar për origjinën e tij italiane, Pompeo shquhet për frymën e ashpër dhe kritike ndaj muslimanëve, jo vetëm si komunitet, por edhe në tërësi si botë islame. Pompeo është fans i politikave të Trump, sidomos asaj kundër Iranit. Deputet i Kansasit, ai njihet si tejet i përgatitur e me përvojë, pas ka mbaruar në universitetet më të mira të SHBA.
Steven Mnuchin, sekretar i thesarit
Me origjinë hebreje, Mnuchin është një ndër financierët e njohur të ambjenteve njujorkeze. I diplomuar në Yale, ai ka punuar 17 vjet në Goldman Sachs, një ndër bankat më të mëdha të vendit. I ngatërruar me aferat që sollën krizën e vitit 2008, Mnuchin është mik i afërt i dhëndërrit të Donald Trump.
Harold Hamm, sekretar për energjinë
Manjat miliarder i hidrokarbureve nga Oklahoma, Hamm ka qenë këshilltar për energjinë i Mitt Romney në vitin 2012. Është ndër pionerët e procesit të shale gas, i cili konsiston në nxjerrjen e naftës dhe gazit nga shkëmbinjtë përmes thërmimit të tyre. Një metodë që ka shkaktuar shumë reagime në SHBA vitet e fundit.
Stephen Bannon, ultra konservatori që ndezi zjarrin
Bannon ishte ndër emërimet e para të Trumpit. Ai mori postin delikat të këshilltarit për strategjinë të presidentit. I njohur si racist i bindur, Bannon drejton një faqe të fuqishme në internet dhe ka qenë hija e kandidatit të djathtë gjatë fushatës së fundit. Shihet si një ndër figurat më të dyshimta në kabinetin e ri Trump, duke ndezur polemika të ashpra në shtyp gjatë javëve të fundit.
Reince Priebus, drejtor kabineti
Drejtues aktual i Partisë republikane, Priebus ishte emërimi i parë i Trumpit pas fitores. Shihet si një njeri që i qëndroi tundimit për ta sulmuar Trumpin, edhe në ditët kur gjysma e republikanëve u kthyen kundër tij. Posti delikat i drejtorit të kabinetit do t’i japë Priebusit një pozitë të privilegjuar për të influencuar në qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari i shtetit, një post mes Mitt Romney, Rudy Giuliani dhe John Bolton
I pari ka qenë kandidat republikan gjatë zgjedhjeve paraardhëse, përballë Barak Obamas. Personazh i moderuar dhe me përvojë politike. Rudy Giuliani ka qenë kryetar bashkie i Nju Jorkut në vitin 2001 në kohën e sulmit mbi Kullat Binjake. Figurë e fortë konservatore, ka pak eksperiencë në politikën e jashtme. Ndërsa John Bolton ka qenë ambasador i SHBA në OKB. Ka përvojë të gjatë në politikën e jashtme amerikane, ku ka mbajtur qëndrime të forta konservatore. Vlen të shënohet se ka pasur qëndrime të ashpra kritike ndaj Kosovës në të shkuarën./Përgatiti për botim Armando Meta, Javanews.al/