Ndryshon udhëzimi i firmosur nga kreu i ALUIZNI-it Artan Lame dhe nga Drejtori i hipotekës Ilirjan Muho. Në këtë mënyrë do të jepet certifikata e pronësisë edhe në rastet kur është shembur objekti.
“Regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit për ndërtimin e ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit. Ky dokumentacion përcillet pranë ZVRPP-së së bashku me atë të përcaktuar në pikën 10, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015”, – thuhet në udhëzimin e ri.
Procedura
Drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, paraqesin kërkesën (aplikimin) për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes.
Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit “Tip”, pa pagesë “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital . Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital.
Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive/pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.
Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë.
Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, ZVRPP-ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP -së.
Regjistruesi, në rast se konstaton se ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t, për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar.
Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin, brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t.
Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë.
Përcjellja e dokumenteve
Kur ALUIZNI, përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015, ka përcjellë dokumentacionin për regjistrim në përputhje me nenin 49 të ligjit nr. 33/2012, por procedurat e regjistrimit nuk janë zbatuar ende, do të veprohet si më poshtë:
a) Nëse poseduesi i ndërtimit të legalizuar e ka të rregulluar marrëdhënien e pronësisë me parcelën ndërtimore (ndërtimi është në truallpronë e tij ose është miratuar VKM “Për kompensimin e pronarëve”), ALUIZNI njofton ZVRPP-në për kryerjen e procedurave të regjistrimit, të cilat duhet të përmbyllen brenda 10 ditëve nga paraqitja e këtij njoftimi.
Kur marrëdhënia e pronësisë me truallin nuk është rregulluar ende, ZVRPP-ja zbaton rregullin e përcaktuar në pikën 13 të këtij udhëzimi dhe detyrohet të kryejë regjistrimin e pronësisë mbi parcelën ndërtimore, menjëherë pas miratimit të VKM-së “Për kompensimin e pronarëve”.
ma.me