Studentja Mirela Ruko, e cila leu me salcë ministren e Arsimit Lindita Nikolla, u lirua nga policia pas disa orësh nga shoqërimi i saj. Ajo qëndroi në komisariat për rreth 10 orë ku u mor në pyetje nga punonjësit e rendit.
Ndërkohë, në mbështetje të aktivistes Mirela Kuro kanë qëndruar para komisariatit dhjetëra aktivistë, pedagogë, studentë e qytetarë të cilët kanë kërkuar lirimin e saj.
Në ditën ndërkombëtare të studentëve, aktivistja Mirela Ruko i hodhi salcë të kuqe në kokë ministres Lindita Nikolla, në shenjë proteste ndaj reformës në arsimin e lartë duke kërkuar dorëheqjen e saj.
“Pak momente më parë, pas mbajtjes së padrejtë për më tepër se 10 orë në ambientet e komisariatit nr.1, dhe po kaq orë qëndresë nga studentë, aktivistë e qytetarë, më në fund aktivistja Mirela Ruko u lirua. Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe solidaritetin! Rezistenca do të vazhdojë, edhe më e fortë! Pushtetarët nuk kanë parë gjë akoma!
Për Universitetin, Për Shoqërinë!”- thuhet në faqen e lëvizjes ‘Për Universitetin’ në Facebook./a.m.