Kryeministri, Edi Rama në albumin me foto të postuar në “Facebook” me titullin “Kantieret e Rilindjes urbane të Mirditës” u ka kushtuar vëmendje edhe disa komentuesve që i ankohen për realitetin. Një prej tyre e kritikon se “po e ngordh popullin për bukë”. Një tjetër ankohet për “mungesën e dritave që po e çmendin ditën e natë”, ndërsa një komentues i kujton mungesën sipas tij të investimeve në bashkitë e djatha. Disa prej komentet, siç është bërë praktikë tashmë, nuk kanë kaluar në “shurdhëri” por kanë marrë edhe përgjigjet e vetë kryeministrit Rama. Madje me njërin prej tyre, i cili i shkruante se populli është duke ngordhur për bukë, Rama i shkruan se ka një goxha fuoristradë dhe nuk i takon të flasë për varfërinë.
Replikat në “Facebook” mes Ramës dhe qytetarëve
KOMENTUESI 1: Rilindja Urbane është një ndër gjetjet më të mira të kësaj Qeverie në këtë periudhe. Erdhi një kohë që thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë u mplaken aq shpejt dhe u rrënuan aq keq sa nuk ta merrte mendja. Me Rilindjen Urbane ata rilindën për të mos u mplakur më kurrë. Kjo u rrit vlerat qyteteve, i bën ata më të dashur për banorët e tij dhe për ish banorët e larguar që me dashuri po e shikojnë këtë proces sa të nevojshëm në një moment të domosdoshëm. Pamja e një qyteti është vetë kostumi yt që ke veshur në publik. Edhe kur nuk kishte në të kaluarën, shqiptari kostumin kombëtar për rrugë e miqësi, kullën me gurë dhe armën e tij i kishte të bukura dhe të shtrenjta. Në një farë mënyrë kjo është sot Rilindja Urbane që gëzon shqiptarët dhe ngjall shpresat për të gjithë.
EDI RAMA: Rrofsh. Sa kënaqësi që ta lexosh nga një njeri i zakonshëm diçka të shkruar kaq bukur për një vizion zhvillimi komunitar e kombëtar që rëndom keqkuptohet dhe shtrembërohet me lloj-lloj arsyetimesh të cekta krejt.
KOMENTUESI 2: Të lutem do na thuash kur s’do na fiken dritat më se na çmendën çdo natë e çdo ditë tu fik dritat. Në 2016 akoma probleme me dritat a s’është turp?
EDI RAMA: Kur të rinovohet i gjithë rrjeti i amortizuar që ka mbetur siç ka qenë që nga koha e elektrifikimit të Shqipërisë!
KOMENTUESI 2: Po sa do zgjasë ky rinovim se na hëngri shpirtin ore aman s’di, jo s’di çtë them dhe në Afganistan s’besoj që ndodh kështu me dritat se o ka atje o s’ka se në vendet tjera të Europës s’besoj që ndodh kjo në 2016 pa drita
EDI RAMA: Pjesë-pjesë sepse ç’ka s’është bërë në 50 vjet nuk bëhet dot në 3 vjet! Po punojme dhe investojmë ndërkohë po mos harro që deri para dy vjetesh vetëm vidhnim energji e merrnin borxhe me pagu vjedhjet!
KOMENTUESI 3: Hidhi ndonjë sy atij Pogradecit apo varja se është e PD-së.
EDI RAMA: Djema e keni harruar që projektet i bëjnë bashkitë dhe i financon qeveria? Kur s’bëjnë projekte çfarë të bëjë qeveria dhe këta të PD pak janë që bëjnë projekte, po shyqyr që jane edhe ata pak se do ishim realisht në hall për të financuar bashkitë e djathta.
KOMENTUESI 4: Bëj ndonjë pune se e ngordhe popullin për bukë po leri fotot.
EDI RAMA: Frazë më boshe e më të ulët se sa kjo e “ngordhjes së popullit për bukë” nuk ka! Dhe me e bukura apo më e shëmtuara është që për këtë lloj “ngordhjeje”, flasin në emër të popullit komentatorë me celular e me internet në dorë. Kjo quhet ngordhje për mend, jo për bukë!
KOMENTUESI 5: Mirë po ndërton qytetet po shiko fukarenjtë zoti Rama
EDI RAMA: Po pse a thua ndërtimi i qyteteve nuk ka lidhje me luftën ndaj fukarallëkut dhe ndërkohë megjithë atë goxha fuoristradë s’më dukesh as fukara e as zëdhënës i fukarenjve i dashur Artur./bw/a.k