Në Buxhetin e ardhshëm të Operatorit të Shpërndarjes do të futet edhe planifikimi për ndërtimin e nënstacionit të Leskovikut që do ti shërbejë qytetit por do ti shërbejë edhe disa investimeve private në fushën e energjisë. Kështu deklaroi Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri nga Leskoviku gjatë një inspektim në Bashkinë e Kolonjës në kuadër të investimeve që po kryhen në rrjet.
Gjiknuri tha se shtimi i investimeve në rrjet është produkt i suksesit të reformës në sektorin elektroenergjitik. “Dua tu them qytetarëve se ky është një tjetër produkt i reformës në energjetikë. Kjo zonë ka qenë paguese e rregullt e energjisë elektrike dhe është veprimi i duhur që tu jepet atyre mbrapsht ajo çka meritojnë”, nënvizoi Gjiknuri.
Ngritja e nënstacionit 110/35/10 KV në qytetin e Leskovikut do të zgjidhë përfundimisht furnizimin me energji të Qytetit Leskovik dhe fshatrave të tij përreth.
Operatori i Shpërndarjes ka planifikuar gjithashtu edhe investime të tjera si riparimin e linjës 35 KV Ersekë Leskovik dhe kthimin e rrjetit të Tensionit të Ulët nga ajror në kabllor.
ma.me