Sazan Guri, i cili kandidoi si i pavarur në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit për Bashkinë e Tiranës, shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Në një intervistë për A1 Report Guri tha se nuk pranon post në bashki sepse synimet e tij janë ose të drejtojë bashkinë e kryeqytetit ose atë të Beratit.
“Bashkëpunimi nuk është vetëm kur mer një rrogë 800 mijë lekëshe në bashki. Por bashkëpunimi është qëndrim kritik ndaj një çështje. Ata që janë brenda institucionit aprovojnë gjithçka që drejtuesi thotë. Unë e refuzoj një post në bashki. Unë doja ose kryetar bashkie në Tiranë ose në qytetin tim të lindjes në Berat”, tha Guri.
Teksa foli për programin e tij, Guri tha se ja kishte dhënë atë personalisht kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka thënë se do bashkëpunojë e do marë në konsideratë programin e tij.
“Ai është një program me 101 çështje. E kthyem në një program të thjeshtë të cilin e kupton edhe gjyshja. Këtë ja kam dhuruar personalisht edhe kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Ai tha që do bashkëpunojmë siç thotë çdo kryetarë në ditën e parë të punës. Ai më tha që do e marrë në konsideratë”, tha ai.