Nga Ben Andoni
Ka ende një hon mes rekomandimit dhe hapjes së negociatave me BE-në. Kush dyshon për këtë le të kujtojë rastin e Maqedonisë, që prej vitesh mban rekomandimin, por që s’i afrohet dot derës së madhe të hapjes së negociatave, asaj që sot e kanë përshkruar serbët me malazezët.
Gjithsesi, lajmi për rekomandimin e hapjes së negociatave me BE-në në Shqipëri është një ogur i mirë edhe pse ka kaluar me shumë zhurmë në Shqipëri. Finishi duhet të jetë gati një vit më vonë, kur do të vendoset realisht nëse do të vuloset apo jo nisja e negociatave.
Përpara presin dy pengesa jashtë normales. E para është implementimi i Reformës në Drejtësi, pra kokat e prera të të korruptuarve dhe e dyta standardi i zgjedhjeve.
Shqipëria, vërtetë e ka marrë rekomandimin, porse rruga përcillet me disa kushtëzime, për të cilat vendet anëtare të BE-së do të derdhin të gjithë shqetësimet dhe mëdyshjet e tyre, por edhe problemet bilaterale me vendin tonë. Tek ne, mungesa totale e kulturës administrative dhe e dijenisë së funksionimit të BE-së, i bën njerëzit që të mos e kuptojnë realisht se deri më tani thjesht është bërë një rekomandim, porse vendimi do edhe një vit të realizohet, nëse gjërat do shkojnë sipas parashikimit entuziast të qeverisë Rama.
Pikërisht këtë diferencë, të dy stadeve të aderimit në BE, e që e dinë shumë mirë pushtetarët e shfrytëzojnë t’i përvishen njëri-tjetrit. Ndërkohë shqiptarët për shkak të mospërditësimit të kulturës institucionale nuk e dinë ose më mirë e kanë harruar se procesi i zgjerimit nuk është më prioritet evropian paçka se po vazhdon dhe vetëm dy vjet më vonë do të ketë një takim vlerësimi të hapave të Ballkanit Perëndimor për këtë qëllim.
Në fakt, ka pak lajme të mira në rajon, por që nuk ngrenë peshë për ne. Veç sinjalit të hapjes së negociatave është edhe fakti se këtë vit ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Po ndërkohë Serbët, që e bënë lëmsh Ballkanin, kanë hapur kapituj të rëndësishëm në procesin e negociatave, kurse Mali i Zi po ashtu jo vetëm ka hapur por edhe ka mbyllur disa kapituj me Komisionin Evropian.
Paçka se ku po shkojnë dy fqinjët e afërt, ne mund t’i gëzohemi vetëm faktit, nëse është e drejtë kjo fjalë, që Maqedonia për shkak të amullisë së saj po mbetet pas edhe pse ka status rekomandimi e po ashtu Bosnja mbetet me problematikën e saj të madhe.
Për hir të së vërtetës, Shqipëria po tregon të paktën publikisht dhe ndërkombëtarisht progres. Nëse nuk do të ishte edhe lufta e madhe verbale stërmunduese, pushtet-opozitë, duket se Brukseli nuk kish pse të mos ishte e kënaqur me gatishmërinë e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, paçka se në shumë raste ajo që referohet tregon se trafikantët e drogës kanë lidhje me vetë shtetin!
Kjo e bën vendimin e Brukselit për rekomandimin që të të zgjojë pasi tani vjen pjesa më e vështirë, mu ajo që lidhet me politikanët e lartë në burg, ose ndryshe që do të thotë implementimi i kushtit kryesor të Reformës në Drejtësi.
Pasi, nëse pas hekurave nuk do përfundojnë disa të fortë, politikanë, prokurorë, gjykatës, atëherë certifikimi final i hapjes së negociatave do të mungojë sërish.
Ndërsa, një element tjetër lidhet me listat zgjedhore që do prezantojnë partitë, pra deri ku do të shkojë pastërtia e Reformës Zgjedhore sa i përket kriminalizimit. Ajo do jetë elementi i dytë që do të flasë shumë për Shqipërinë, madje me fajtor jo thjesht mazhorancën por të gjithë faktorin politik.
Si përfundim, problemi do të jetë nëse qeveria do të arrijë të jetë modeste dhe do të thotë se asgjë nuk është arritur porse na është hapur vetëm një derë, kurse dera e madhe është ende e mbyllur.
Në këtë stad, të mos harrojmë se Shqipëria ka qenë dhe me qeverinë Berisha. Anipse kur shikon parlamentin shqiptar të kap frika nga retorikat dhe batutat dhe kupton se kushtëzimi nuk do kalohet nga vetë shqiptarët e politikës që realisht duket se nuk e duan.
E nëse do të vazhdojë kështu: do të katandisemi si Maqedonia që e mban në sirtar rekomandimin prej vitesh pa konkluduar dot të kalojë derën e negociatave. Sepse nëse nuk e kemi kuptuar ende: diferenca mes rekomandimit dhe vendimit është shumë e shumë e madhe. (Javanews)