“Me ardhjen e Trump në pushtet, Amerika nuk do të ketë të njëjtin angazhim që të ndihmojë Shqipërinë në realizimin e reformës në drejtësi”. Kështu ka deklaruar Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës “Illyria”, në emisionin “Dritare me Rudinën”.
Sipas tij administrata e Trump do ta ngadalësojë këtë proces dhe e vetmja shpresë që shqiptarët të largojnë sistemin e korruptuar, është që të kenë dëshirë dhe vullnet për ta realizuar vet, pa pritur ndihmën e Amerikës.
“Trump paralajmëron një Amerikë amorale në politikën e saj të jashtme, pra që nuk do të jetë shumë morale në ruajtjen e marrëdhënieve me shtete. Marrim rastin e reformës në drejtësi. Amerikanët kanë luftuar shumë që shqiptarët të luftojnë korrupsionin. Nëse Donald Trump, do të jetë ashtu siç e ka treguar veten gjatë fushatës, ai nuk do të merret me atë punë. Administrata e tij mund të ngadalësojë një angazhim në këtë proces. Nëse shqiptarët duan të mbajnë një sistem të korruptuar, nuk do të lodhet Amerika që të bindë shqiptarët se patjetër duhet të kenë sistemin që duhet”, tha Avxhiu.
Sipas tij, Amerika pritet që të ketë marrëdhënie të mira me shtete si Kina dhe Rusia, por rajone si Ballkani do të mbeten dytësore.
“Vizioni i Trump në politikën e jashtme, nëse mund te perceptoj diçka, mesa ka thënë sepse mbetet ende kuriozitet, është që si aleatët si kundërshtarët , të gjithë duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi në rolin e tyre brenda dhe jashtë vendit, sepse Amerika është lodhur duke qenë kujdestarja e të gjithëve . Ky është ndryshimi më i madh që mund të sjellë ai në vija të përgjithshme. Pres që të ketë marrëdhënie me Rusinë, Kinën, vende që kanë shkëmbime madhore me SHBA-të. Se çfarë mund të ndodhë në rajone si Ballkani është dytësore, dhe jam i sigurt që vet Trump nuk e ka menduar”, u shpreh Avxhiu.
/dritare.net/a.m.