Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi ka sqaruar qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës në takimin e sotëm në Bruksel, gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqiperi.
Në një prononcim për “OraNews”, Bumçi e quajti votimin e sotëm të paprecedentë në historinë së paku 13 vjecarë të takimeve të tilla, ku dilet ose jo me deklaratë të përbashkët, por nuk votohet.
Ai ka theksuar se deputetja demokrate Majlinda Bregu ka mbështetur amendamentet e PD-së në këtë mbledhje.
“Atë e hodhën në votë, konsensusi nuk është votë. Shumica votoi kundër propozimeve tona, kur ne bëjnë propozime për të përmirësuar një paragraf, që nuk gjen mbështetje, atëherë nuk mund të kemi një deklaratë të përbashkët. Sa për votën e Bregut, në dijeni time ajo ka mbështetur amendamentet e PD-së. Ajo që thuhet është një përpjekje për të treguar imazh sikur ka qendrime të ndryshme në PD, amendamentet tona u votuan edhe nga Bregu, kjo tregon qartë qëndrimin e saj”- tha Bumçi.
Por ndërkohë më herët në një postim në facebook Bregu shkruante se nuk mund të votonte kundër negociatave. Qëndrimi i saj kundër vendimit politik të PD-së u konfirmua edhe nga deputeti socialist taulant Balla që tha se vetëm Bregu votoi nga opozita pro tekstit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqiperi ku i bëhej thirrje Komisioni Eropian të hapte negociatat me Shqipërinë./a.m.