Riorganizimi i Shërbimit të Urgjencës pritet të sjellë një rritje të cilësisë dhe shpejtësisë të shërbimit dhe për pasojë familjarëve nuk do tu duhet më të kryejnë transportin e pacientit drejt spitalit, por do të jetë ekipi mjekësor i specializuar në këtë fushë ai që do të japë ndihmën e parë dhe do të kryejë edhe transportin e të sëmurit. Ndërsa ka prezantuar riorganizimin e Shërbimit të Urgjencës në Qarkun e Korçës, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka bërë me dije se kjo zonë do të ketë shtim të automjeteve, pasi ka një shtrire të madhe dhe zona malore.
“Është i vetmi qark ku na duhet të shtojmë autoambulanca edhe nga ato që kemi sot. Sepse, në qoftë se do të duam që ti dalim për zot, të paktën një autoambulancë për më pak se 25 mijë banorë, ndryshimi nuk është i vogël këtu. Se sot, me mënyrën, jo me sa flotë kemi në inventar, por mesa i shërbejmë njëherazi, sot 1 autoambulancë u shërben 58 mijë banorëve. Edhe në qytet po të ishin këto, janë pak, plus pastaj shtrirjen e madhe që ka qarku juaj. Me këtë riorganizim, shkojmë në 32 (1 autoambulancë për 32 mijë banorë). Por, që të arrijmë në të paktën 25 mijë, na duhet të kemi edhe tre të tjera. Pra, të arrijmë në 14. Në mënyrë që 350-mijëshit t’i përgjigjemi me 25. Po fillimisht, edhe kjo nga 58 në 32 është një përmirësim të paktën me rreth 70 përqind”, ka bërë me dije kreu i shëndetësisë.
Por, pranverën e ardhshme me hapjen e Qendrës Kombëtare të Koordinimit çdo ekip mjekësor, infermieror por edhe shoferët do të trajnohen se si të ofrojnë një shërbim shëndetësor më të mirë dhe të shpejtë, ku të mund të përcaktojnë kategorinë e urgjencave, dhe më pas, të drejtojnë të sëmurin atje ku ka nevojë dhe jo në spitalin më të afërt. “Në qoftë se sot i bihet numrit të urgjencës dhe përgjigjet dikush në Korçë apo në Pogradec, në prill do të përgjigjet vetëm një njeri në Tiranë, i cili do të ketë panoramën e të gjithë flotës. Dhe kjo, na jep dy avantazhe: Sepse kini parasysh që edhe në qarqet fqinj po ndodh e njëjta gjë, dhe kur një moment në kufinjtë ku fillon Pogradeci mund të jetë më afër apo më e lirshme autoambulanca e Përrenjasit, nuk mund të thotë ajo se kam të territorit tim. Është Qendra e Komandës (Qendra e Komandës dhe e Kontrollit të shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore) që do të thotë se cila ambulancë do të shkojë, dhe është po Qendra e Komandës që pastaj do të fillojë të ketë më shumë informacion edhe se ku duhet ta çojë. Sepse triazhimi i parë, do të fillojë të bëhet që në telefon”, shpjegoi Beqaj.
Procesi i riorganizimit të Shërbimit të Urgjencës pritet të shoqërohet edhe me rritje të numrit të shoferëve dhe ekipeve mjekësore, pasi flota e autoambulancave sot nuk ka qenë në funksionim të plotë. “Ne kemi në të gjithë spitalet e Shqipërisë një flotë që, të paktën si mjete motorrike, janë të afta për punë rreth 180 automjete. Por njëherësh, edhe sot po të pyesim se sa janë në shërbim në të gjithë Republikën, janë vetëm 70. Pse? Arsyeja e parë është shumë e thjeshtë: 180 autoambulanca, 220 drejtues automjetesh. Domethënë, 1 shofer, autoambulancën e vet. Kështu ishte. Ndërkohë që një autoambulancë të punojë siç duhet 24 orë në 7 ditë të javës, duhet të ketë 5 shoferë. 40 orë është java e punës”, ka pohuar kreu i shëndetësisë, ndërsa tregoi se në Qarkun e Korçës, disa autoambulanca do të stacionohen përgjatë ditës edhe në zona të largëta malore.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, e cila pritet të vendoset në funksion të plotë këtë pranverën, do të jetë ajo që do të bashkërendojë dhe menaxhojë të gjitha rastet e urgjencave në të gjithë vendin.