TIRANË, 28 Qershor /ATSH/-Bashkia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi për mediat bën me dije se ka nisur zbatimin e projektit pilot për përmirësimin e ndriçimit rrugor në trajektoren sheshi “Shqiponja”- Rruga e Durrësit – sheshi “Skënderbej”- bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – sheshi “Nënë Tereza”.
Projekti pilot, i cili përfundon javën e ardhshme, parashikon zëvendësimin e 780 ndriçuesve ekzistues me ndriçues xenon dhe të gjitha pajisjet përkatëse.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës jep detajet e projekrit, ku shpjegon se “Zbatimi i këtij projekti për vendosjen e 780 ndriçuesve përmirëson me 50% fluksin e ndriçimit rrugor dhe redukton me 60% koston e përdorimit të energjisë elektrike, krahasuar me ndriçimin ekzistues. Jetëgjatësia e ndriçuesve të rinj është 40 mijë orë pune ose dy herë më e lartë se e ndriçuesve aktualë. Këta ndriçues kanë 90% të spektrit të dritës, nga 38% që është aktualisht, çka ndikon ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve rrugore”.
“Ky projekt është pjesë e strategjisë afatgjatë të Bashkisë së Tiranës të miratuar në Këshillin Bashkiak në dhjetor 2014 për zëvendësimin e ndriçuesve brenda qytetit të Tiranës me ndriçues të teknologjisë së lartë, që reduktojnë ndjeshëm koston e përdorimit të energjisë elektrike dhe kanë fuqi ndriçuese dhe jetëgjatësi më të madhe se ndriçuesit e zakonshëm. Në përfundim të projektit kostoja e energjisë që i faturohet qytetit të Tiranës nga ndriçimi publik do të ulet me 60% ose afro 1 milionë dollarë në vit, ndërkohë që cilësia e ndriçimit rritet me afro 50%” thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës./ATA/