Mbi 15 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë kanë braktisur arsimin e detyruar, duke bërë që shifrat e analfabetizmit në rang vendi të rriten me shpejtësi të madhe.
Për të rikthyer fëmijët në sistemin arsimor dhe integrimin e tyre në shkollë, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me të gjitha prefekturat në rang vendi do të vënë në zbatim një strategji gjithëpërfshirëse.
Kjo konsiston në evidentimin e fëmijëve, vendndodhjen e tyre, si dhe krijimin e kushteve të favorshme për t’u rikthyer arsimin e detyruar. Për të diskutuar rreth kësaj strategjie, në Durrës janë mbledhur të gjithë prefektët e vendit dhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Nga studimet e kryera deri më tani, janë rreth 15 mijë fëmijë në të gjithë vendin që nuk marrin arsimin e duhur (9-vjeçar të detyruar).
E pranishme në takim, zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, është shprehur se Durrësi ka një eksperiencë pozitive në këtë drejtim, pasi projekti pilot që nisi vitin e kaluar në bashkëpunim me UNICEF-in për fëmijët e rrugës ka rezultuar mjaft produktiv.
“Bashkëpunimi me UNICEF-in ishte mjaft produktiv këtu në Durrës, pasi kemi rikthyer në bankat e shkollës me qindra fëmijë, të cilët e kishin braktisur arsimin e detyruar. Tashmë kjo nismë do të përhapet në të gjithë Shqipërinë, pasi sikurse theksuan parafolësit, bëhet fjalë për rreth 15 mijë fëmijë që nuk ndjekin arsimin e detyruar. Kjo është një shifër shumë e lartë, ndaj duhet të përpiqemi që nga viti në vit të kemi regres të numrit të fëmijëve që braktisin apo nuk frekuentojnë arsimin e detyruar, pasi në të kundërt do të përballemi me analfabetizëm në masë”, tha zv.ministrja e Arsimit.
Sipas saj, “Task Forca” për monitorimin e kopshteve do të vendosë standarde bashkëkohore për arsimimin e fëmijëve. Prefekti i Durrësit, Roland Xhelilaj, theksoi se në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore dhe atë të Policisë po bëhet verifikimi për çdo fëmijë që haset me këtë problematikë.
Grupi “Task Forcë” pritet të bëjë një evidentim të hollësishëm të gjendjes së fëmijëve që kanë probleme në arsimimin e tyre. Prefektura do të merret me verifikimin e të gjithë lëvizjeve migratore të familjeve që kanë fëmijë, të cilët kanë mbushur moshën për të ndjekur sistemin arsimor të detyruar.
E njëjta detyrë për evidentimin e rasteve është lënë edhe për përfaqësuesit e tjerë nëpër rrethe, që ishin të pranishëm në takimin e djeshëm që u organizua në Durrës./Panorama/a.m.