Kosova përforcohet me një tjetër futbollist që më parë ka veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë, Fidan Alitin, mbrojtësin nga Presheva që luan me Slaven Belupon në ligën e parë kroate. Ai është mbrojtës i majtë, por mund të përshtatet në të gjitha pozicionet e prapavijës. Në këtë sezon ai ka luajtur tetë ndeshje me ekipin nga Belupo.
Sipas “Telegraf” lajmin e ka konfirmuar vetë lojtari, i cili për një prononcim për portalin Kosovar ka thënë se ka marrë ftesë për ndeshjen e 12-të nëntorit kundër Turqisë. “Zyrtarisht kam marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës që t’i bashkohem dhe për këtë jam shumë i lumtur. Ky vendim i marrë nga unë nuk është kundër Shqipërisë, ku kam luajtur më parë, por është për ta ndihmuar Kosovën. Kemi biseduar edhe me FSHF-në dhe jemi akorduar që unë të jem pjesë e Kosovës”, deklaroi lojtari i lindur në Zvicër.
Problemi i vetëm që pengon 23-vjeçarin t’i bashkangjitet menjëherë Kosovës është pasaporta që ai nuk e disponon.
“Jam në pritje të pasaportës së Kosovës, shpresoj që të më bëhet sa më shpejtë dhe të mund ta jap kontributin tim për Përfaqësuesen kosovare. Fidan Aliti shprehet krenar për faktin që do të jetë futbollisti i parë shqiptar nga Lugina e Preshevës që do ta veshë fanellën e Kosovës. “Është një krenari për mua që të jem futbollisti i parë nga Lugina e Preshevës që do ta bartë fanellën e Kosovës. Do të mundohem ta jap maksimumin që ta prezantoj edhe Luginën në Përfaqësuesen e Kosovës. Lugina është Kosovë dhe shpresoj që pas meje të ketë edhe futbollistë të tjerë nga kjo pjesë e Kosovës që do t’i bashkohen Përfaqësueses më të re në Evropë”.
BW/d.i.