Një foto prekëse e një profesori matematike që mban në krahë foshnjën e porsalindur të një studenteje gjatë orës së mësimit është bërë virale në internet. Studentja e Universitetit Lander, nëna e re Sarah Thompson ka postuar një foto muajin e kaluar në rrjetin e saj social Facebook, e cila të ngroh zemrën kur e sheh. Profesori i saj i matematikës Josie Ryan e ka ndihmuar atë gjatë orës së mësimit duke mbajtur në krah foshnjën e saj të porsalindur.
Thompson shkruan se kishte vetëm tre javë që kishte lindur djalin e saj pasi nisi simestri i ri i shkollës dhe se ajo nuk mund ta linte vetëm, prandaj e mori në orët e mësimit. Ajo thotë se Ryan e kishte inkurajuar atë të vazhdonte studimet dhe që e la ta merrte fëmijën në klasë.
Thompson pas këshillës së Ryan u kthye shumë shpejt në leksione duke mos humbur shumë nga mësimet. Ajo thotë se Isaiah ka qenë si një engjëll në klasë dhe se të gjithë ndihen mirë me praninë e tij. Ajo thotë se postimin e ka bërë për të inkurajuar nënat e tjera të reja apo ato që janë shtatzënë që punojnë ose janë studente për të kërkuar ndihmë.
Të dy, edhe Thompson dhe i dashuri i saj Chris janë në shkollë dhe kanë në plan të diplomohen brenda vitit./noa/a.k