Personi i plagosur me tre plumba disa ditë më parë në Tiranë, Andi Mustafaraj, ka mohuar t’i ketë parë personat që e qëlluan me armë zjarri. Prokurorët e Prokurorisë së Tiranës kanë marrë në pyetje dje në spital 30-vjeçarin që u plagos mesditën e së premtes në një nga lokalet pranë ish-Ekspozitës në Tiranë.
Sot “TvKlan” raporton se personi që e ka qëlluar atë me synimin për ta vrarë është një person që është paguar për të kryer atentatin.
Por detaje të tjera zbardhen nga grupi hetimor që ka rastin në dorë. Mësohet se në lokal, edhe pse shënjestra ka qenë i vetëm, vrasësin me pagesë e ka penguar prania e dy fëmijëve të mitur që të realizojë qëllimin e tij: ekzekutimi me plumb në kokë i Mustafarajt.
Prania e fëmijëve pranë vendit ku ishte ulur shënjestra ka bërë që autori të ulë dorën dhe ta qëllojë në nivelin e barkut të riun.
Mësohet se ai ka përdorur një armë me silenciator.
Dyshohet se ngjarja ka lidhje me vrasjen e Elton Çiçës, i ekzekutuar mbrëmjen e 1 majit në një lokal në qendër të Tiranës.
“Panorama” mëson se Mustafaraj është shoku u ngushtë i Çiçës, i cili sipas prokurorisë dyshohet se ka qenë autori apo porositësi i disa ngjarjeve në shenjë hakmarrje për dhunimin dhe grabitjen e prindërve të tij në qytetin e Tepelenës.
Kjo është arsyeja përse ai u ekzekutua me plumb në kokë në një nga zonat më të populluara të Tiranës teksa ishte në shoqërinë e një oficeri policie, një gazetari dhe një mjeku.
Mësohet gjithashtu se Mustafaraj është edhe shoku i Nelgert Patës, personit që i bënë atentat në 21 Gusht te pallatet e Delijorgjit në Tiranë.
Panorama/d.i.