Gazeta greke “To Vima” shkruan sot se takimi mes ambasadorit shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi dhe zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme greke, pas ngjarjeve në Athinë dhe deklaratës së Ramës për Akropolin, është zhvilluar me tone të ashpra.
Zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Peter Mavroeidis, është ankuar mbi vendimin e autoriteteve shqiptare për prishjen e disa banesave të banorëve në Himarë.
Ai e quan këtë veprim, abuzim me të drejtat e minoritetit grek.
“Mavroeidis i tha ambasadorit të Shqipërisë Dashnor Dervishi se plani i rizhvillimit të Himarës nuk është konsultuar ndershmërisht dhe në mënyrë transparente me minoritetin grek dhe se është e papranueshme që njoftimi për prishjen e banesave të ishte ekskluzivisht vetëm për personat me origjinë etnike greke”, shkruan “To Vima”.
Sipas tij, ky veprim tregon se ka një plan të organizuar për shkeljen e të drejtave të emigrantëve grekë në Shqipëri.
“Greqia nuk ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, as nuk kërcënon askënd, por as nuk do të tolerojë sfida të tilla.
Shqipëria, duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare që respekton të drejtat e pakicave etnike greke”, ka thënë ai shkruan Tema.
Sipas gazetës greke, Mavroeidis bëri të qartë se kjo sjellje e papranueshme, do të përballet me vlerësimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Mavroeidis ka kërkuar që vendimi për prishjen e pronave të banorëve në Himarë, të pezullohet menjëherë.